Njësitë e qeverisjes vendore do të duhet tani e tutje që të ofrojnë të dhëna publike dhe për Këshillat bashkiakë e Këshillat e qarqeve. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka miratuar një model transparence, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe është detyrues për institucionet vendore, të cilat duhet ta publikojnë atë në faqen e tyre.

“Programi model i Transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore parashikon përfshirjen e një fushe të re të dedikuar për veprimtarinë e Këshillave Bashkiak si një nga organet më të rëndësishme të NJVV-ve, si dhe zbatimin e këtij modeli edhe nga këshillat e qarqeve, me qëllim forcimin e transparencës së procesit të vendimmarrjes në nivel vendor”, shpjegon Zyra e Komisionerit në një njoftim publik.

Modeli parashikon një informacion të detajuar duke nisur që nga ai rreth këshilltarëve, të Komisionet e Këshillave, aktivitetin e tyre, mbledhjet dhe vendimet që merren.

“Programet model të Transparencës përbëjnë instrumente thelbësore të transparencës proaktive, duke garantuar aksesin e publikut në informacion dhe dokumentacion me karakter publik, reduktuar nevojën për paraqitjen e kërkesave individuale për informacion dhe rritur nivelin e llogaridhënies institucionale të autoriteteve publike”|

Zyra e Komisionerit ka pasuruar dhe modelet e Transparencës për institucionet e tjera, duke përshtatur “zhvillimet e reja ligjore dhe institucionale, përfshirë miratimin e Konventës nr. 205 të Këshillit të Evropës, ndryshimet ligjore në fushën e të drejtës së informimit, konsolidimin e praktikave të zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, kanë krijuar nevojën për përshtatje dhe konsolidim të mëtejshëm të këtyre modeleve”, shopjegon zyra e Komisionerit.

Sipas modelit të ri, në rubrikën e Transparencës, autoritetet do të jenë të detyruara të përfshijnë dhe datën e përditësimit të të dhënave dhe inforacioneve. “miratimi i këtyre programeve model konsolidon përvojën pozitive të zbatimit të deritanishëm të transparencës proaktive, rrit përdorueshmërinë e informacionit publik dhe e shndërron transparencën në një instrument më efektiv në shërbim të qytetarëve, shoqërisë civile, medias dhe institucioneve publike”.