Vizita e Komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në Kosovë është shtyrë në momentin e fundit, mes zhvillimeve të fundit politike në vend.
Sipas Radios Evropa e Lirë, zyrtarë të Komisionit Evropian kanë konfirmuar se Kos ia ka bërë të ditur këtë vendim kryeministrit Albin Kurti gjatë një bisede telefonike, duke i thënë se udhëtimi i planifikuar në Kosovë nuk do të zhvillohet tani për shkak të situatës politike, megjithatë synon të udhëtojë në Prishtinë “në momentin e parë të mundshëm”.
Vizita e saj ishte paralajmëruar javën e kaluar dhe jozyrtarisht ishte përmendur data 12 mars. Kjo do të ishte vizita e parë e Kos në Kosovë që nga marrja e detyrës si komisionere për Zgjerim në dhjetor të vitit 2024.
Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që Kos nuk e ka vizituar ende në këtë rol. Gjatë vitit 2025 ishte përmendur edhe mungesa e një bashkëbiseduesi institucional për shkak të krizës politike në vend.
Shtyrja e vizitës vjen vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Vendimi erdhi pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars. Lëvizja Vetëvendosje e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi që masa e përkohshme të mbetet në fuqi deri më 31 mars.
Deri atëherë, presidentja Osmani nuk mund të shpallë datën e zgjedhjeve dhe Kuvendi nuk mund të mblidhet për të vazhduar punën.
Kriza politike u thellua më 6 mars, kur Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi një ditë më parë procesi për zgjedhjen e presidentit kishte dështuar për shkak të mungesës së kuorumit në seancë.
Komente











