TIRANE-Komisionerja e KE-së për kulturën Mariya Gabriel kërkon dialog mes palëve përpara se të merret vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar, të cilën Këshilli Bashkiak i Tiranës e vulosi mbrëmjen e djeshme.

"Dialogu me shoqërinë civile dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore është i domosdoshëm përpara se të merrni një vendim të pakthyeshëm për teatrin. Ne inkurajojmë fuqimisht të gjitha institucionet përkatëse kombëtare që të përfshihen tani në një dialog konstruktiv me aktorët e trashëgimisë" shprehet ajo.

Presidenti Ilir Meta e ka përshëndetur këtë postim duke e shpërndarë, ndërsa kërkon nga palët "Dëgjoni zërin e vërtetë të Europës!'.

Për vendimin e Këshillit Bashkiak reagoi edhe organizata Europa Nostra. "Ne përkrahim trashëgiminë kulturore të Europës. Prandaj kundërshtojmë propozimin e paligjshëm për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga shtatë objektet e marra në mbrojtje nga Europa Nostra!

Teatri është i mbrojtur nga ligji vendas, i mbrojtur fuqimisht nga shoqëria civile dhe nga ekspertët", shkruan Europa Nostra në Twitter.

Të njëjtën gjë bëri edhe kryetari i PD, Lulzim Basha i cili falenderon Komisioneren e BE për Kulturën, Mariya Gabriel , Europa Nostra dhe ambasadorin Soreca për mesazhet e dhëna për respektimin e ligjit.

"Faleminderit Gabriel Mariya,  Europa Nostraa dhe Luigi Soreca për mesazhet e qarta për respektimin e ligjit dhe thirrjen për dialog me artistët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore. Të ndalet menjëherë dhunimi i Kushtetutës dhe ligjit dhe provokimi për prishjen e paligjshme të TK', shkruan Basha nw Twitter.