Komisionet miratojnë projektligjin për prokurimin publik! Tenderat dhe vlerësimi do bëhet online, ofertat fiktive skualifikohen nga gara

Komisioni i Ekonomisë dhe ai i çështjeve Evropiane miratuan projektligjin për Prokurimin Publik, i cili përveç se synon përafrim me legjislacionin e BE, ka si qëllim edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale nëpër tendera.

Për të rritur garën e drejtë dhe konkurrencën, deputeti i PS-së Erion Braçe propozoi që të skualifikohen direkt nga gara, ofertat që vijnë nga kompani fiktive që ofrojnë shumë pak në raport me fondin limit të caktuar, dhe kur shpallen fituese nuk realizojnë projektin sepse s’kanë kapacitete. Ky propozim mori dritën jeshile nga Komisioni i Ekonomisë.

“Operatori paraqet një ofertë shumë të ulët, duke qenë se tenderi bazohet tek çmimi më i ulët, ai shpallet fitues, por nuk mund të ofrojë shërbimin. Më pas ky operator negocion me kompanitë e tjera pjesëmarrëse duke ju marrë ryshfet për të dalë nga gara. Duhet të s’kualifikohen nga gara ofertat anomalisht të ulta pa u marrë shpjegime. Janë operator që nuk justifikojnë atë çmim të ulët që bëjnë për të marrë atë kontratë”, tha Braçe.

“Mund të konsiderohet një propozim i pranueshëm që synon konkurrencën e drejtë. Nuk do të ketë hap për shpjegime të mëtejshme por s‘kualifikim të menjëhershëm. Nuk kemi kundërshtim” tha drejtuesja e APP, Reida Kashta.

Aktualisht të gjitha ofertat që janë 25% më të lira se fondi limit i përcaktuar, nëse nuk ka një argumentim bindës se si mund të ofrohet shërbimi i kërkuar me kaq pak fonde, oferta s’kualifikohet.

Projektligji po ashtu parashikon edhe ngritjen e një sistemi të ri për prokurimet publike, si dhe përllogaritjen e fondit limit për tenderat, caktimi i kritereve dhe vlerësimi i ofertave pjesëmarrëse në garat që hapen do të bëhet në mënyrë elektronike.

Digjitalizimi i sistemit, do t’i japë mundësi Agjencisë së Prokurimit Publik, që të hetojë edhe të dhënat e kompanive pjesëmarrëse, me synim që në gara të mos marrin pjesë kompani fiktive. Nga ana tjetër sipas qeverisë të gjitha këto ndryshime të parashikuara synojnë të rrisin transparencën në prokurimet publike.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë