/ATSH-Gjergji Mima/ -Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme, gjatë mbledhjes së parë të këtij sesioni, pati një seancë njohje me projektligjin "Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë" depozituar më datë 17 dhjetor 2014.

Kryetarja e këtij komisioni, Arta Dade u shpreh se, ligji ekzistues garanton konsolidimin e shërbimit diplomatik dhe lejon qeveritë të emërojnë në vende të ndryshme, ambasador jashtë sistemit të karrierës. Dade ka kërkuar që ligji i ri të parashikojë se ambasadorët duhet të kenë pika takimi me politikën e jashtme.

"Unë mendoj se ligji ekzistues garantonte një konsolidim të shërbimit diplomatik, por gjithashtu lejonte që qeveritë sipas rasteve që marrin pushtetin kanë mundësi që për vendet ku mendojnë se janë përparësore në marrëdhëniet dypalëshe, të emërojnë ambasador nga jashtë sistemit. Sigurisht edhe në këtë rast nuk mund të emërohen individë që nuk kanë asnjë lidhje me shërbimin diplomatik apo me politikën e jashtme, por ligji duhet të parashikojë që të kenë ato pika takimi me shërbimin dhe politikën e jashtme", tha Dade.
Ndërkohë, anëtarja tjetër e komisionit njëherësh deputete e PS-së, Valentina Leskaj ka kërkuar pjesëmarrjen e personaliteteve të kësaj fushe të kontribuojnë nëpërmjet seancave dëgjimore, pasi ligji i ri ka mjaft vend për diskutime. Për Leskajn, kjo është një reformë e rëndësishme që nuk mund të kalojë me shpejtësi.
Anëtarët e opozitës në komision, Aldo Bumçi dhe Kastriot Islami kanë kundërshtuar ligjin e ri. Islami u shpreh se ky ligj rrezikon diplomatët në karrierë, pasi ndryshe nga i vjetri, i cili parashikonte kuotën 20 për qind për personat që vijnë jashtë sistemit, ligji i ri është shumë më i hapur.

Në mbledhjen e sotme, në rend të ditës së punimeve të Komisionit të Politikës së Jashtme kanë qenë edhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes së fundit datë 16 dhjetor 2014. Miratimi i programit të punës të Kuvendit për periudhën 19 janar - 26 shkurt dhe i kalendarit 3 javor (19 Janar - 5 Shkurt 2015) të punimeve të Kuvendit. Si edhe diskutimi rreth veprimtarive që do të përfshihen në programin e punës së Komisionit për sesionin parlamentar janar- qershor 2015.