TIRANË - Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin e qeverisë për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, si edhe të kryerjes së transparencës lidhur me figurën e zyrtarëve të lartë në qeveri.
 
Projektligji i propozuar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj pritet të kalojë këtë të enjte në seancë plenare ndërkohë që projekligji ka kaluar edhe në disa prej komisioneve parlamentare në Kuvend.
 
Ligji në fjalë do t’u mundësojë ish-të përndjekurve politik mundësinë për tu informuar lidhur me arsyet e dënimit të tyre gjatë sistemit komunist. Projektligji parashikon edhe identifikimin e kontributeve dhe rolit që kanë pasur gjatë sistemit komunist, zyrtarë të cilët tashmë mbajnë poste të larta.
 
Por vendimin për t’i bërë publike apo jo këto detaje do të merret nga një autoritet i veçantë i cili pritet të krijohet një muaj pasi ky projektligj të hyjë në fuqi.
 
Autoriteti nuk do të administrojë kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Ligji në fjalë është një tjetër kontribut i dhënë nga ministri Veliaj gjatë drejtimit të ministrisë prej tij.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)