Komisioni i Posaçëm parlamentar për Dekriminalizimin ka mbyllur punimet rreth orës 15:45, pa marrë një vendim sesi do të vijohet më tej. Kreu i komisionit, Oert Bylykbashi në përfundim të mbledhjes tha se në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet konkretisht për propozimet që do t’i dërgohen Kuvendit në seancë plenare.

Mbledhja është shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës nisur dhe nga paraqitja gjatë ditës së sotme të projektligjit të propozuar nga Këshilli i Ministave për Dekriminalizimin.

Taulant Balla tha se projektligji i propozuar nga Partia Demokratike bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecia dhe me ligjin “Severino” dhe propozoi që të arrihet një draft i përbashkët duke punuar mbi propozimin e PD-së dhe Këshillit të Ministrave.

Deputeti socialiste nënvizoi se komisioni e ka ezauruar mandatin dhe tashmë është Kuvendit që duhet të shprehet në seancë plenare dhe më pas të miratohet varianti i duhur i ligjit.

Gjithashtu, Balla tha se komisioni nuk mund të shqyrtojë ndryshimeve kushtetuese, por kreu i komisionit Oert Bylykbashi tha se, Kuvendi ka miratuar një rezolutë për këtë komision.

Deputeti i PD-së, Eduard Halimi tha se komisioni nuk mund të mbyllë punimet pa përgatitur një projektligj për dekriminalizimin, gjë për të cilën është ngritur.

Në këto kushte komisioni përveç diskutimeve procedurale nuk mori në shqyrtim asnjë propozim, por deputeti Spartak Braho komentoi edhe propozimin e demokrateve për sa i përket testit të drogës për zyrtarët e lartë duke thënë: Nuk ëshë gjë testi i drogës, se ka shumë që e kanë përdorur.

Debati
 
Balla: Ne e kemi vullnetin politik të shprehur sot përmes këshillit të ministrave për ti sjellë parlamentit një projekt ligj të plotë, që nga emri i jep zgjidhje përfundimtare çdo lloj abuzimi. Ky komision i posaçëm e ka ezauruar mandatin e tij pasi është Kuvendi dhe seanca plenare që duhet të shprehet mbi variantin e duhur të ligjit. Komisioni nuk mund të shqyrtojë as ndryshimet kushtetuese se ato kalojnë një procedurë tjetër, do ishte shkelje e ligjit nga ana jonë të hynim në çështje për të cilat nuk jemi mandatuar. 

Bylykbashi: Parlamenti ka të kriminalizuar dhe ky është fakt. Ka një revzolutë, ne jemi në detyrëntonë për të vazhduar përpara.

Halimi: Nuk ka asnjë surprizë. E kupton dhe një fëmijë 7 vjeç. Kjo sjellje e mazhorancës është bërë si telenovelat indiane që e përsërisin serinë nga 20 herë në ditë. Pa mbaruar me një draft paketën e dekriminalizimit, pa e gatuar në këtë komision, ne nuk e mbyllim punën. Ky është komisioni që duhet ta bëjë.

Braho: Ne nuk mund të bëjmë ligj për dekriminalizimin pa pasur në dorë ndryshimet kushtetuese.

Bylykbashi: Propozimi i qeverisë është kopje e elementëve thelbësore të propozuar nga PD.

Braho: T’i bëjnë ndryshimet kushtetuese sipas rregullave. Do bëj dispozita që ky ligj të bëhet edhe më i fortë.
 
Manja: Për ndryshimet kushtetuese na duhen 95 vota. Të dalim me draft të përbashkët. Këto dy drafte t’i finalizojmë në këtë komision se kemi 8 muaj që mblidhemi dhe t’i drejtohemi seancës plenare për votim.

Halimi: Diskutimi është ky nuk fillojmë me diskutimin tuaj pa parë ligjin që ka sjell kryeministri. Tani ne si komision e kemi detyrë të posaçme të hartojmë ligjin për dekriminalizimin. E kemi ne si detyrë të posaçme. Ky komision ka vetëm një detyrë: hartimin e nismave ligjore për diskriminimin.

Bylykbashi: Sot po e mbyll këtë mbledhje për ta vazhduar me diskutime konkrete për mënyrë sesi ky komision dot bëjmë propozimet për në seancën plenare.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)