TIRANE- Komisioni Shtetëror jep të dhëna për masat e ndërmarra në vend në kuadër të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së programeve të organizuara me rastin e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri. Të gjitha institucionet kanë ndërmarrë masat e nevojshme, për të garantuar ecurinë e aktiviteteve të parashikuara. Garantimit të sigurisë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, i bashkohen edhe masat e marra për lëvizjen e automjeteve, si dhe parkimin e tyre. Ndërkaq, edhe Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat e nevojshme duke vënë në dispozicion të qytetarëve çadra me staf mjekësor të specializuar.

Vizita e Papës, qendra shëndetësore në bulevard
Ditën e vizitës së atit të Shenjtë në vendin tonë do të jetë në gjendje gatishmërie edhe i gjithë sistemi shëndetësor. Sipas njoftimit të komisionit të posaçëm shtetëror përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin ”Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa në mënyrë që qytetarët të asistohen nga: Çadra me staf mjekësor të specializuar; 15 ambulanca; helikopter mjekësor;  dy qendra mjekësore të ndihmës së shpejtë do të ngrihen në Pallatin e Kongreseve dhe përgjatë Blv “Dëshmorët e Kombit”;  vullnetarë në pikat e ujit përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të aktivitetit; vullnetarë me çanta uji përgjatë Blv “Dëshmorët e Kombit”.
 
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përreth tij do të vendosen 60 tualete të lëvizshme, me akses edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara.
 
Po ashtu komisioni i posaçëm shtetëror ka vendosur që ardhja, takimet dhe Mesha e shenjtë që do të mbajë Papa Francesku do të transmetohen LIVE në ekrane të vendosur përgjatë gjithë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Nënë Tereza” dhe Pallatit të Kongreseve.

KOMISIONI SHTETEROR PER VIZITEN E PAPA FRANÇESKUT‏



Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)