Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka verifikuar të gjitha ankesat e bëra nga Ilir Meta për trajtimin e tij në qelinë e paraburgimit te burgu 313.

Krah çdo ankese, Komiteti ka renditur edhe shkeljet e kryera dhe rekomandimet përkatëse për secilin prej tyre. Në thelb, shkelja e përbashkët është cenimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të të dënuarve e të paraburgosurve.

Lidhur me mungesën e dritave të tualetit, KShH shprehet: ”Mungesa e ndriçimit në këtë hapësirë cenon standardet minimale të higjienës dhe përdorimit normal të saj, duke krijuar kushte të papërshtatshme që cenojnë dinjitetin njerëzor.“

Për zilen e emergjencës, thotë se ky sistem nuk ka qenë ndonjëherë funksional: “KShH vlerëson se mosfunksionimi i këtij sistemi cenon garancitë infrastrukturore në rastet e emergjencës, pasi është konceptuar për t'i ardhur në ndihmë shtetasve që mund të kenë probleme shëndetësore apo problematika të tjera që mund të cenojnë jetën dhe sigurinë e tyre.”

Dalja në ajrim më pak se dy orë në ditë është verifikuar dhe sipas Komitetit, Metës i është lejuar të dalë 40-90 minuta, duke bërë thirrje për marrje të menjëhershme të masave: “KShH rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e kohës ligjore të ajrimit dhe trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë”, thotë raporti.

Edhe kufizimi i takimeve me përfaqësues të PL apo deputetë të Kuvendit që i llogariten si takime familjare, Komiteti e vlerëson si shkelje duke u mbështetur në argumentin se “deputetët kanë të drejtë të hyjnë në institucion pa autorizim paraprak dhe pa asnjë kufizim të shprehur në numër takimesh.”

Për masën disiplinore të përjashtimit 14-ditor korrikun e kaluar, Komiteti thotë se praktika e ndjekur nga administrata e burgut për të justifikuar mosnjoftimin e Metës me refuzimin e tij për të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit, nuk vlen.

Sipas arsyetimit, ligji “detyron institucionin që vendimi i arsyetuar t'i njoftohet të burgosurit me qëllim që t'i garantohet e drejta për ankimim. Ky detyrim nuk është i kushtëzuar nga mos pjesëmarrja e të paraburgosurit në procedurën disiplinore dhe për rrjedhojë çdo interpretim i kundërt është ekstra-ligjor.”

Komiteti ka bërë gjithashtu rekomandime për lejimin e komunikimit me mediat, pjesëmarrjen në lojërat e organizuara, mirëmbajtjen e qelisë dhe rikthimin e kontaktit të fshirë nga lista e 15 kontakteve dhe “të ndërpresë praktikën e kufizimit të të drejtave përmes urdhrave verbalë dhe të pambështetur në legjislacion.”

Ish-presidenti mbahet në burg që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie. Dosja ndaj tij dhe ish bashkëshortes Kryemadhi, tashmë ka kaluar për gjykim në themel.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.