Në një njoftim për mediet të shpërndarë nga Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit lidhur me gjendjen në vend si pasojë e motit të rënduar thuhet se gjendja vijon të jetë e rënduar sidomos në qarqet e Fierit dhe Vlorës.

Autoritetet shtetërore dhe forcat e angazhuara në operacionet e menaxhimit të emergjencës kanë vazhduar pa ndërprerë as natën dhe as ditën përpjekjet me intensitet të lartë dhe gjatë orëve të fundit, kanë vazhduar operacionet e kërkim shpëtimit, të evakuimit dhe ato të ri-funksionalizimit të infrastrukturës kritike.

Është bërë e mundur që të shpëtohet jeta e shumë personave nga rreziqe akute për jetën, falë angazhimit të forcave të angazhuara në përballimin e emergjencës.

Në Fier dhe në Vlorë ka vijuar evakuimi i banorëve të kërcënuar, të cilët janë strehuar në qendrat e pritjes apo tek miq e të afërm personalë, gjithashtu u arrit që të zgjidhej problemi i krijuar me nënstacioni e Zëmblakut në Korçë.

Kanë paraqitur probleme disa ura si ajo mbi lumin Devoll në Korçë, dyshime për sigurinë në urës në Urën Vajgurore, dëmtime të një argjinature pranë lumit Drojë në Mamurras etj..

Në ujësjellësin e Krujës po vijojnë punimet për riparimin e problemeve. Punohet edhe për riparimin e  ujësjellësve në Muhar dhe Çidhën të Dibrës. Po ashtu, vijon puna për riparimin e disa urave në Gjoricë, Lurë dhe Kala të Dodës në Dibër.

Pas mesditës, kuotat e lumit Vjosë në Përmet ka rënë në nivelin 5,5m, ndërkohë që në Memaliaj kjo kuotë ka shënuar vlerën 6,2 m nga 9 metër që shënonte në orën 08:00 të ditës së sotme.

Funksionimi i plotë i hidrovoreve ka qenë dhe mbetet një ndër elementët më pozitivë gjatë kësaj gjendjeje të rëndë.

Situata do të vijojë edhe më tej të mbetet e rëndë dhe, për këtë arsye, kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim i gjerë dhe solidaritet.

Mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe solidariteti konsiderohen si faktorë të rëndësishëm që kanë lehtësuar përballimin e situatës. Si përherë, qytetarët shqiptarë i kanë “konkurruar” në mënyrë mbresëlënëse kapacitet publike të akomodimit përmes hapjes së dyerve për të pritur miq, të afërm apo edhe të panjohur në banesat private.

Komiteti u bën thirrje qytetarëve që vijojnë të dëgjojnë, të bashkëpunojnë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, veçanërisht ato që lidhen me evakuimin, i cili mbetet ende mjeti më i rëndësishëm për të shmangur pasojat e rënda për jetën në këto momente.

Si pjesë e këtij njoftimi vijojnë të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët.

Thirrje e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë situatës së reshjeve dhe përmbytjeve, duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:

• Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj..

• Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.

• Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet. Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.

• Duhet të shmangen në maksimum kalimet në urat e lumenjve me prurje të shtuar dhe rryma të fuqishme.

• Në situata rrymash të parapritura, duhet të kërkoni më shpejtësi një vend të lartë për t’u ruajtur.

• Në se niveli i ujit në afërsi të automjetit tuaj rritet, por nuk lëviz, duhet të lini automjetin për të gjetur një vend më të lartë. Por, mos e braktisini automjetin për t’u futur në një rrymë të fortë uji.

• Shmangni parkimin e automjetit në afërsi të lumenjve apo përrenjve gjatë reshjeve të rënda, pasi ato mund të përmbyten shumë shpejt.

• Shmangni qëndrimin apo parkimin në rrugët që janë në buzë të lumenjve. Shpesh herë ujërat mund të gërryejnë bazamentin e rrugës, duke e bërë atë të rrezikshme.

• Mbani të hapur radion apo televizorin për të marrë njoftimet që mund të jepen nga autoritetet kompetente.

• Mbani në gatishmëri mjete e komunikimit, sidomos telefonat celularë, duke siguruar gatishmërinë e baterive;

• Mbani në gatishmëri mjete të ndihmës së shpejtë, medikamente të domosdoshme, mjete ndriçimi etj..,

• Futini në mjedise të mbyllura orenditë apo mjete të tjera që zakonisht i mbani jashtë. Mundësisht vendosini orenditë në pika të larta brenda shtëpisë për të parandaluar dëmtimin gjatë përmbytjeve;

• Shkëputni sa më shumë pajisje elektrike nga rrjeti dhe mos i prekni ato nëse janë në lagështi ose nën ujë;

• Kini kujdes nga goditjet elektrike që mund të vijnë nga rënia e telave të tensionit në pellgjet me ujë.

• Njoftoni në numrin 112 apo në çfarëdo forme tjetër komunikimi për problemet që mund të keni.

Er.K/Shqiptarja.com