Kompania amerikane Dominion Voting Systems Inc, e cila merret me numërimin automatik të votave ka ngritur një padi prej 1.3 miliardë dollarësh kundër avokatit të ish-Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani, ku e akuzon këtë të fundit për shpifje, për manipulime të shumta në zgjedhjet presidenciale.

Kompania me bazë në Denver, kishte ngritur më parë një proces gjyqësor kundër avokates së fushatës së ish-Presidentit Trump, Sidney Powell, të cilën e akuzoi gjithashtu për përhapjen e teorive të rreme të konspiracionit në lidhje me zgjedhjet ku ish-presidenti Donald Trumpi humbi ndaj demokratit Joe Biden.

Giuliani dhe avokati i tij, Robert Costello, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente por vazhdoi të këmbëngulte tek pretendimet e tij në lidhje me zgjedhjet, duke thënë javën e kaluar gjatë një emisioni në radio se ai po sulmohet për “ushtrimin e të drejtës së fjalës së lirë dhe mbrojtjen e klientit” të tij.

Edhe një punonjës i kompanisë Dominion, Eric Coomer, paraqiti një padi për shpifje kundër fushatës së ish Presidentit Trump, duke thënë se ai ishte detyruar të fshihej për shkak të kërcënimeve me vdekje që kishte marrë nga mbështetësit e zotit Trump.

Kompania Dominion po kërkon 1.3 miliardë dollarë dëmshpërblim nga ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, duke pretenduar se “ai dhe aleatët e tij prodhuan dhe shpërndanë "Gënjeshtrën e Madhe “, e cila u përhap me shpejtësi dhe mashtroi miliona njerëz që besuan se Dominion u kishte vjedhur atyre votat dhe kishte manipuluar zgjedhjet”.

Ndërkaq kompania thotë se ka shpenzuar 565,000 dollarë për të mbrojtur punonjësit e saj, të cilët janë përballur me ngacmime dhe kërcënime me vdekje.