TIRANE- Mihal Delijorgji duhet të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar me 15.600 euro për mbajtje në burg tej afateve të parashikuara me ligj. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Strasburgut e cila dje ka publikuar vendimin që i jep të drejtë biznesmenit Mihal Delijorgji, duke e shpërblyer atë me një shumë prej 15 mijë euro.

Kompania e tij e grumbullimit të skrapit “Albademil”, me bashkëfajësinë e shtetit shqiptar, shkaktoi në mars të vitit 2008 katastrofën e Gërdecit, ku humbën jetën 26 banorë të fshatit, qindra të tjerë u plagosën, mijëra familje humbën shtëpitë, pronat dhe toka bujqësore e tyre u bë e papërdorshme për vite me radhë. Megjithatë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut me bazë në Strasburg ka konstatuar se gjatë procesit gjyqësor ndaj tij është vërejtur një shkelje e këtyre të drejtave, për respektimin e të cilave Shqipëria është angazhuar me nënshkrimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut.

Mbajtja në burg
Sipas Strasburgut, mbajtja në burg e Delijorgjit nga data 24 nëntor 2010 deri më 12 mars 2012 është në shkelje të ligjit dhe se kërkesa e bërë prej tij në Gjykatë për lirim nuk është shqyrtuar me shpejtësinë e duhur. Si pasojë e shkeljes së Nenit 5 paragrafit 1 të Konventës së të Drejtave të Njeriut (e drejta për liri dhe siguri) dhe Nenit 5 paragrafi 4 (e drejta për të pasur nga gjykatat me shpejtësi ligjërimin e mbajtjes në burgim), Gjykata e Strasburgut ka vendosur që Delijorgjit t’i paguhen nga Buxheti i Shtetit shqiptar 15.600 euro si dëm jo material.

Asnjë në burg
Të gjithë të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, nga e cila humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën, tashmë janë të liruar. Pak kohë më parë gjykata e Tiranës liroi dhe shtetasin Dritan Minxolli i cili ka kryer rolin e drejtorit të kompanisë “Albademil” në punishten e Gërdecit. Tashmë, procesi gjyqësor më i madhi i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri nuk ka asnjë person që qëndron i izoluar në burg. E vetmja zgjidhje ligjore, për familjarët e viktimave, janë gjykatat europiane, megjithatë çështja duhet të kalojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, duke përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarjacom)