Në Shqipëri duhej të kishin mbërritur të mërkurën në mesnatë, por 150 pasagjerë, shumica shqiptarë, me biletë fluturimi me kompaninë ‘Wizz Air’ kanë mbetur ende në aeroportin Malpensa në Milano. Foto njerëzit. Nisja nga Milano ishte parashikuar në orën 22:30, por  ‘Wizz Air’ njoftoi pasagjerët se fluturimi do të shtyhej me një orë, situata këto të përsëritura nga e njëjta kompani. Siç pasagjerët tregojnë për Report Tv, edhe kjo orë pritjeje ishte sfilitëse pasi mes tyre kishte dhe fëmijë e të moshuar.

“Ja ku e kam një fëmijë, po luan me ngjyra. Nga mbrëmë qëndron nëpër karrige”, tha një pasagjere.

Por kjo nuk ka mjaftuar, Nuk kaloi shumë dhe kompania ‘Wizz Air’ i njoftoi se fluturimi drejt Tiranës u anulua.

“Me keqardhje ju informojmë se fluturimi juaj W4 6610 MXP-TIA është anuluar. Si kompani ajrore, ndonjëherë mund të përballemi me situata që çojnë në vonesa ose anulime të paparashikuara, për të cilat kërkojmë sinqerisht falje”, thuhej në njoftim.

Pasagjeri, që si shumë të tjerë mbeti në mes të aeroportit pa zgjidhje, na tregon se shumë udhëtarë nisën të shfaqin edhe probleme shëndetësore,

“Njëra ishte zonjë nga Durrësi. E kapi stresi. Diabeti lartë.”, tregon ai.

Natën e kaluan pa përgjigje në aeroport, sepse për të prerë në minutë të fundit një biletë të re kthimi për në Shqipëri, kostoja është shumë e lartë. Pasagjeri tregon për Report Tv se vetëm mëngjesin e së enjtes, kompania Wizz Air i ka njoftuar me e-maili për mundësitë që pasagjerët mund të shfrytëzojnë për kthimin ne atdhe. Një rezervim të ri në kompaninë Wizz Air në të njëjtin itinerar brenda 30 ditësh. Por, një nga pasagjerët na tregon se përpjekja për të përfituar këtë mundësi është e kotë, pasi Wizz Air shfaq në faqen e saj online, vetëm një fluturim të ardhshëm për të shtunën.

Alternativa tjetër është për anulimin e rezervimit dhe kërkesën për rimbursim nga kompania në vlerën 120% të biletës. Por nëse do të paguanin një biletë të re në një tjetër kompani, sot për sot, minimalisht do të kushtonte 250 deri në 500 euro vetëm kthimi, që nuk do të justifikonte as rimbursimin për çmimin lowcost me të cilën kanë paguar te Wizz Air.

“Do ta përballojmë se nuk kemi çfarë të bëjmë. Tani Shqipëri-Itali është Sold out. Ka mbetur vetëm me autobus”, tha një qytetar.

Kjo nuk është hera e parë që kompania e fluturimeve 'Wizz Air', braktis udhëtarët shqiptar në mes të udhëtimit.