Propozimi për ndryshimin e vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.1, datë 10.01.2007, “Për Rregullat e Prokurimit Publik”, është bërë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Në procedurat e prokurimit sipas këtij vendimi do të përfshihet si kriter edhe pagimi i detyrimeve të energjisë elektrike nga ana e operatorëve ekonomikë, në Dokumentet e Tenderit nga Autoritetet Kontraktore për kontratat e punëve, mallrave dhe shërbimeve.
Shpyllëzohen 52 hektarë, shkak gazësjellësi TAP
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e qeverisë vendosi për heqjen nga fondi pyjor e kullosor të sipërfaqeve që do të përdoren për ndërtimin e rrjetit rrugor të gazësjellësit TAP.
Sipas vendimit në fjalë 51.93 hektarë pyje e kullota do të çregjistrohen nga kadastra e pyjeve, pasi në këtë sipërfaqe është parashikuar të ndërtohet rrjeti rrugor i gazësjellësit TAP.
Po ashut theksohet se rehabilitimi mjedisor i territorit do të bëhet nga TAP, dhe po ashtu shoqëria TAP-AG do të bëjë brenda 5 viteve me fondet e veta ripyllëzimin e zonës.
Më poshtë vendimi i plotë:
VENDIM PËR HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQEVE PYJORE E KULLOSORE QË DO TË PËRDOREN NGA SHOQËRIA TAP-AG PËR NDËRTIMIN E RRJETIT RRUGOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, të pikës 4, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, dhe të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe TAP-AG”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor dhe çregjistrimin nga kadastra e pyjeve dhe kullotave të sipërfaqes pyjore e kullosore prej 51,93 (pesëdhjetë e një presje nëntëdhjetë e tre) ha, që do të përdoret nga shoqëria TAP-AG për ndërtimin e rrjetit rrugor në funksion të ndërtimit të gazsjellësit TAP-AG.
Sipërfaqja pyjore e kullosore që hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor jepet në lidhjen 1 (një) që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Heqja nga fondi pyjor dhe kullosor për ndërtimin e rrjetit rrugor të gazsjellësit TAP-AG, të bëhet me pjesë sipas territoreve administrative të njësive të qeverisjes vendore, bazuar në grafikun e parashikuar për realizimin e këtij projekti.
3. Shoqëria TAP-AG, pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrjetit rrugor pjesor, sipas pikës 2, të këtij vendimi, është e detyruar të realizojë rehabilitimin mjedisor të territorit pyjor dhe kullosor.
4. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore dhe produkteve të tjera pyjore, sipërfaqet dhe investimet e kryera në vite në pyje dhe kullota, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria TAP-AG, sipas lidhjes 4, bashkëlidhur vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
5. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria TAP-AG, brenda 5 (pesë) viteve, të pyllëzojë me fondet e veta 50,23 (pesëdhjetë presje njëzet e tre) ha sipërfaqe me drurë pyjorë, në ekonomitë pyjore dhe kullosore të përcaktuara në marrëveshjen e lidhur ndërmjet shoqërisë TAP-AG dhe Ministrisë së Mjedisit.
6. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, bëhen ndryshimet përkatëse në regjistrin e kadastrës pyjore dhe kullosore dhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
7. Ministria e Mjedisit dhe shoqëria TAP-AG nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët mbi hapat, afatet dhe procedurat për hartimin e projekteve teknike të heqjes së materialit drusor dhe pyllëzimin e sipërfaqeve pyjore sipas pikës 5, të këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, njësitë e qeverisjes vendore në territoret e të cilave kalon rrjeti rrugor për ndërtimin e gazsjellësit TAP-AG dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)