TIRANE- Ka nisur keto ditë procedura hetimore administrative, që mund të çojë deri në revokimin e kontratës së parë koncensionare të madhe në fushën e naftës. Albpetrol-i, kompania publike që mbikëqyr koncesionet e naftës, ka filluar zyrtarisht procedurat për të prishur marrëveshjen me kompaninë kanadeze “Stream Oil” për shkak të parregullsive në shlyerjen e detyrimeve financiare të përcaktuara me ligj. “Stream Oil” shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollaj në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës.

Ndërkohë, sipas burimeve nga ministria e Energjetikës, nën hetim është vënë edhe procedura e ndjekur nga ana e kompanisë kanadeze Bankers Petroleum, që rezulton të ketë një faturë shumë herë më të lartë shpenzimesh se sa Stream Oil. Konkretisht, nga 1.4 miliardë dollarë shpenzime, që thuhet se kanë bërë të gjitha kompanitë, 1.2 miliardë i takojnë Bankers-it. Ndonëse i shfrytëzojnë burimet nëntokësore prej shumë vitesh, sipas Albpetrolit, kompanitë nuk paguajnë detyrimet që u rrjedhin nga marrëveshja koncensionare, posaçërisht ato të ndarjes së prodhimit.

Sipas burimeve konfidenciale, në rastin e Stream Oilit bëhet fjalë për 50 mijë tonë naftë, 10 milionë metër kub gaz, si dhe shumë fatura të tjera për energjinë dhe shërbime të tjera të përfituara nga kjo kompani, të cilat Stream duhet t’i kishte derdhur në Albpetrol, gjë, që prej vitesh nuk e ka bërë.
Sipas përllogaritjeve, vlera totale e dëmit shkon nga 30 deri në 35 milionë dollarë, para të cilat duhet të kishin përfunduar në arkën publike, por të cilave kompania u është shmangur, në kundërshtim me ligjin. Për shkak të këtyre abuzimeve, së fundmi drejtuesit e Albpetrol kanë shkarkuar mbi 35 punonjës të cilët kishin detyrimin të monitoronin marrëveshjet koncensionare.

Stream Oil është denoncuar më parë nga ish-opozita e majtë si e lidhur me qeverinë e atëhershme të demokratëve, nëpërmjet familjarit të deputetes Albana Vokshi.
Kompanitë që kanë lidhur marrëdhënie koncensionare me Albpetrolin Shpenzimet, për të cilat nuk ka fatura pranë Albpetrolit kanë një vlerë sa 12 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Kjo, në fakt, tregon që shteti nuk i ka kontrolluar asnjëherë koncensionarët, edhe pse ky është një nga kushtet më të forta ligjore që përfshihet në kontratat.

Sipas kontratave koncensionare, të gjitha kompanitë janë të detyruara që të vërtetojnë më dokumentat përkatëse shpenzimet për investime e ato operative përmes faturave, të cilat duhet të dorëzohen në 'Albpetrol'. Kjo, pasi shpenzimet janë janë zëri kyç që përcakton detyrimet, të cilat kompanitë private duhet t'i paguajnë shtetit për shfrytëzimin e pasurive natyrore. Në të gjitha marrëveshjet koncensionare është përcaktuar se kompanitë private fillojnë të paguajnë tatim mbi fitimin në masën 50 për qind vetëm pasi të kenë shlyer investimet. Por, fitimi llogaritet si diferencë e të ardhurave me shpenzimet e kompanisë.

Shkrimi u publikua sot (2.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)