Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, është shprehur i bindur për fitoren përpara përballjes vendimtare kundër Real Madridit në çerekfinalet e kthimit të Champions League.

Pas fitores 1-2 në ndeshjen e parë në Madrid, bavarezët synojnë të mbyllin llogaritë në shtëpi, teksa Kompany theksoi se skuadra e tij hyn në fushë vetëm me një objektiv, fitoren.

“Të gjithë lojtarët janë në dispozicion dhe ka entuziazëm të madh. Duam të fitojmë dhe të tregojmë atë që tifozët presin nga ne. Respektojmë shumë Realin, por duhet të hyjmë në fushë me besimin e duhur për të fituar”, deklaroi tekniku belg.

Ai u ndal edhe te ndeshja e parë, duke pranuar se të dyja skuadrat kishin mundësi për më shumë gola.

“Mund të kishim shënuar më shumë, njësoj si ata. Real Madridi u përmirësua në pjesën e dytë dhe kjo mund t’u ketë dhënë besim, por ne bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe mund të bëjmë edhe më mirë në ndeshjen e kthimit", vijoi ai.

Kompany theksoi se fitorja në 'Bernabeu' është një avantazh i rëndësishëm, por kërkoi përqendrim maksimal për sfidën në Gjermani.

Në fund, ai vlerësoi formën e Michael Olise, duke e cilësuar si një lojtar me potencial të madh.

“Ai po luan në një nivel shumë të lartë. Ka bërë progres të jashtëzakonshëm në 18 muajt e fundit dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga më të mirët", tha mes të tjerash trajneri i Bayern Munich.


Lajmi kryesor:

Champions League/ Sot dy çerekfinalet e kthimit, Bayern Munich në avantazh kundër Real Madridit! Arsenalit i mjafton barazimi në Londër