Nga kjo e mërkurë të gjithë fermerët që i kanë shitur produktet e tyre tek bizneset e mëdha me TVSH, si agroturizmi, grumbullues apo agropërpunues, do mund të kërkojnë kompensimin 10% për faturat e tyre.
Ministri i Bujqësisë Andis Salla iu bën thirrje fermerëve me NIPT, me status aktiv të aplikojnë për të përfituar nga kjo mbështetje financiare.
“Aplikimi kryhet online përmes sistemit e-Filing të Administratës Tatimore dhe përfitues janë fermerët e regjistruar si prodhues bujqësorë, që nuk janë pjesë e regjimit të TVSH-së dhe kanë status aktiv”, shkruan ministri.
Edhe ministri i Financave Petrit Malaj ka shpërndarë njoftimin në rrjetet sociale
“Nga 1 Korriku deri më 31 Dhjetor 2026, fermerët mund të aplikojnë për të përfituar kompensimin 10% të vlerës së shitjeve të produkteve bujqësore të dokumentuara me autofaturë për periudhën 01.01.2026 – 30.06.2026”, shkruan Malaj.
Për të përfituar kompensimin fermerët duhet të sigurohen që kanë marrë faturë të fiskalizuar nga blerësi. Kompensimi bazohet i gjithi në fatura. Konkretisht blerësi do t’i lëshojë faturën tatimore fermerit për mallrat ose shërbimet e blera, dhe nga vlera e shkruar në faturë do t’i kompensohet 10% fermerit. Pra nëse fermeri shet produkte me vlerë 100 mijë lekë, do të marrë si kompensim nga shteti 10% të faturës ose 10 mijë lekë.
Për 5-mujorin e parë të vitit, Administrata tatimore thotë se vlera e kompensimit që mund të përfitojnë fermerët është rreth 10.7 milionë euro, bazuar në faturat e gjeneruara për këtë periudhë. Nga rreth 110 mijë fermerë me NIPT në vend, Report Tv mëson se numri gjithsej i faturave të dorëzuara për këtë periudhë është vetëm 8.514.
Fermerët duhet t’i dorëzojnë faturat një herë në gjashtë muaj. Kompensimin për janar-qershor 2026, ata do e marrin brenda 31 dhjetorit të këtij viti, ndërsa për faturat e gjashtëmujorin e dytë të vitit, do e marrin deri në qershor të 2027-ës.
Komente








