VLORË - Dyert, dritaret dhe pjesë të tjera që mund të çmontohet nga pallati i kompleksit “Jon” në zonën e Ujit të Ftohtë, do të shkojnë për shkollat dhe kopshtet e Vlorës. Ky vendim është marrë mes INUK-ut dhe bashkisë së Vlorës ku kjo e fundit ka angazhuar dhe firmat përkatëse që do të bëjnë çmontimin dhe magazinimin e tyre.
 
Çdo pjesë e hequr sipas burimeve të bashkisë dhe INUK do të kryhet me procesverbal duke nisur që nga çmontimi, magazinimi dhe deri te përdorimi i tyre nga institucionet kryesisht arsimore që janë në nevojë.
 
Në këtë mënyrë sipas INUK, jo vetëm që po kryhet një veprim për ndihmën e dhënë ndaj shkollave dhe bashkisë, por nga ana tjetër pjesët e xhamit nuk do të përfundojnë në det pas shpërthimit.
 
Sipas burimeve nga dy institucionet, ky vendim është marrë me qëllim që këto materiale të cilat janë shumë cilësore, të mos shkatërrohen por të vihen në funksion sipas nevojave të komunitetit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)