TIRANE- Trualli ku është ndërtuar kompleksi “Jon” fillimisht ka pasur një sipërfaqe prej 600 metra katror, por më pas kjo sipërfaqe u shtua nëpërmjet një vendimi të Gjykatës së Vlorës, në 1663 metra katrorë. Pikërisht kjo sipërfaqe pretendohet se ka qënë në pronësi të shtetasit Vangjel Ndini dhe trashëgimtarë të tjerë të kësaj familje, të cilët pasi e kanë fituar me vendimin nr.2304 të datës 3 shtator 1996, kanë arritur ta hipotekojnë atë disa vite më vonë, në Zyrën e Pasurive të Paluajtshme në Vlorë.

Gazeta “Shqiptarja.com”, disponon të plotë vendimin e gjykatës së Vlorës i cili është marrë nga treshja gjykuese Tomor Hoxha, Xhalal Kasaj dhe Anila Hamzaraj. Pikërisht në këtë vendim është marrë si provë një akt-ekspertimi, që tregonte se prona e familjes Ndini, ishte më e madhe se hapësira prej 600 metra katrorë që i kishte kthyer Komisioni i Kthimit të Pronave në Vlorë. Për pasojë gjykata ka vendosur të pranojë kërkesë padinë civile të bërë nga shtetasi Vangjel Ndini, duke i dhënë 1063 metra katror, shifër kjo që më pas solli dhe pasurinë prej 1663 metra katrorë, që në muajin nëntor  2009 i është shit shtetasit Xhafer Isufi vjehrrit të Lulzim Bashës dhe një biznesmeni tjetër të quajtur Xhuvi Sharxhi.

Padia kundër KKKP
Vangjel Ndini, që ka fituar që në vitin 1995 pronësinë mbi 600 metra katror tokë në zonën e “Ujit të Ftohtë” ka kundërshtuar në gjykatë  këtë vendim duke pretenduar se ai atij dhe trashëgimtarëve të tjerë, nuk i janë kthyer dhe 1063 metra katrorë që ndodhen në të njëjtën zonë. Pikërisht në këtë zonë ka qënë dhe shkolla 8-vjeçare “Zenel Murra”, e cila pasi trualli i është kthyer pronarëve nga KKKP e Vlorës, është prishur si obejkt duke u transferuar më vonë në zonën ku sot ndodhet shkolla tregtare. Gjatë procesit gjyqësor treshja gjykuese Tomor Hoxha, Xhalal Kasaj dhe Anila Hamzaraj kanë vendosur të anollojnë vendimin nr.68 të datës 17 janar 1995 që i kthente familjes Ndini sipërfaqen prej 600 metra dhe të detyrojnë më pas KKKP të kryejë ndryshimet e nevojshme, duke i rikthyer përfundimisht sipërfaqen tokësore prej 1663 metra katrorë tokë.

Reagimi i pronarëve
Pak kohë më parë lidhur me sipërfaqen tokësore ku është ndërtuar kompleksi “Jon” në Vlorë, kanë reaguar dhe ish-pronarët e kësaj sipërfaqe tokësore. Ata kanë deklaruar për “Shqiptarja.com” se tokën e kanë pasur të plotësuar me dokumentacionin përkatës dhe se fakti se pse e kanë shitur, ka qënë arsyeja e pa mundësisë për të ndërtuar diçka vetë në tokën e tyre. Pronarët theksuan se ata nuk kanë asnjë faj në kushtet e ndërtimit të kompleksit “Jon”, por vetëm kanë bërë shitjen e sipërfaqes prej 1663 metra katrorë. Mënyra se si është shtuar kjo sipërfaqe apo se çfarë është bërë më tej me pronën e shitur tek Xhafer Isufi dhe Xhuvi Sharxhi, nuk i përfshin ata në këtë ceshtje.

Shitëm truallin  me çmim të ulët
Sipas ish-pronarëve të truallit prona është shitur me një çmim të ulët. Shitja është bërë në muajin nëntor 2011 tek dy personat Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi dhe se nuk dihet me saktësi se cili ka qënë çmimi për metër katror që është përdorur gjatë akt marëveshjes së shitjes së truallit. Pas kësaj, është përpiluar dhe dokumentacioni për paisjen me lejë ndërtimi dhe shesh ndërtimi të pronarëve.

INUK: Është marrë mbi 1625 m2
Sipas inspektorëve të INUK një sipërfaqe prej rreth 1625 metra katror është shtuar para pallatit, duke bërë që mbi këtë sipërfaqe të ndërtohet pishina dhe aksesorë të tjerë të këtij objekti. Një shifër e tillë ka dalë nga matjet e kryera në teren, prej nga ka rezultuar se administratorët e këtij objekti kanë kryer shtim artificial të tokës dhe këtë gjë e kanë bërë në drejtim të detit. Sipas burimeve të INUK, skandali në fjalë merr përmasa akoma edhe më të mëdha, pasi e gjithë kjo sipërfaqe është hipotekuar nga pronarët e pallatit. Kjo sipas tyre është një shkelje flagrante e zyrtarëve të Hipotekës në Vlorë,të cilët kanë rregjistruar një pronë që nuk ka ekzistuar kurrë. Pritet që në ditët në vijim INUK të marë vendimin për prishjen ose jo të objektit në fjalë, që nga verifikimet rezulton të ketë hyrë mbi 80 për qind në shtratin e detit. Zyrtarët e INUK, shprehen se objekti është tërësisht i paligjshëm dhe se duhet prishur, por në fakt asnjëri prej tyre nuk merr guximin dhe të shembë kompleksin “Jon” që është në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës.          

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)