VLORE- Të gjitha dritaret dhe dyert e apartamenteve të kompleksit “Jon” janë marrë nga forcat e INUK dhe Policia, me qëllim përdorimin e tyre tek shkollat dhe kopshtet e Vlorës. Ky vendim është marrë, gjatë ditës së djeshme nga drejtuesit e shtabit që është ngritur për shembjen e kompleksit “Jon”, pasi sipas tyre shpërthimi i tritolit, do sillte dhe thyerjen e xhamave, ku pjesa më e madhe e tyre do të binte brenda në ujërat e detit. Për pasojë, një veprim i tillë do sillte dhe ndotjen e zonës bregdetare, duke e bërë atë të pafrekuentueshme për pushuesit gjatë sezonit të Verës.

Nisur nga kjo situatë, gjatë ditës së djeshme policia dhe disa puntorë të INUK kanë vendosur të heqin të gjitha dritaret së bashku me xhamat, si dhe dyertë e brendshme që kompania ndërtuesve e kompleksit “Jon”, “G.B.A Konstruksion” kishte vendosur në brendësi të objektit. Bëhet fjalë për qindra dyer dhe dritare, të cilat që prej ditës së djeshme kanë filluar të administrohen në magazinat e bashkisë së Vlorës, me qëllim përdorimin e tyre në shkollat dhe kopshtet, që janë të dëmtuara. I gjithë ky operacion, është shoqëruar me procesverbale konkrete, me qëllim shmangin e vjedhjes së dyerve apo të dritareve në magazinat e bashkisë së Vlorës.

Hapja e vrimave
Teksa puntorë të INUK dhe bashkisë së Vlorës, heqin dyert dhe dritaret nga kompleksi “Jon”, forcat e xhenjos kanë vijuar gjatë ditës së djeshme me hapjen e vrimave në kollonat e betonit. Bëhet me dije se deri gjatë ditës së djeshme janë hapur rreth 600 vrima, ndërkohë që puna sipas specialistëve të INUK, po vijon për hapjen edhe të rreth 800 vrimave të tjera. Mësohet se kati i parë, i dytë dhe i tretë do të minohet, ndërkohë që pjesa më e madhe e tritolit do vendoset në zonën e ashensorëve, ku dhe sasia e betonit dhe hekurit është më e madhe. Pritet që shëmbja me tritol e objektit të kryhet gjatë fundjavës. Tre ditë më parë në kompleksin “Jon” ka shkuar dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka inspektuar nga afër punimet e forcave të xhenios dhe Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

Shpronësimi i banorëve
Vendimi për prishjen e kompleksit “Jon” që është në pronësi të biznesmenit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, ky i fundit vjehrri i Lulzim Bashës, është marrë menjëherë sapo qeveria shpalli shpronësimin e apartamenteve të banorëve. Vendimi për shpronësimet i le kohë banorëve deri në 28 dhjetor që të dorëzojnë dokumentacionin, me qëllim tërheqjen e shumës financiare që do përllogaritet me cmimin 570 mijë lekë të vjetra për metro katror.

Shkrimi u publikua sot (10.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)