Komplotet e Fuqive të
Mëdha ndaj Ismail Qemalit

Komplotet e Fuqive të<br />Mëdha ndaj Ismail Qemalit
TIRANE - Ardhja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) në Vlorë, që sipas vendimeve të Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913 do të mbikëqyrte veprimtarinë e administratës civile dhe asaj financiare të Shqipërisë e do të përbëhej nga delegatët që do të përfaqësonin gjashtë Fuqitë e Mëdha si dhe prej një delegati që do të përfaqësonte Shqipërinë, qeveria e Vlorës realisht nuk e priti mirë, sepse shikonte tek ai institucion sfidantin e vet më të fuqishëm.

Çështjet kryesore të cilat u pleksën bashkë dhe që u kthyen në një mollë sherri midis KNK-së dhe Ismail Qemalit, duke filluar nga tetori i 1913-s dhe që vazhduan derisa ai dha dorëheqjen, ishte legjitimiteti kombëtar i Qeverisë së Vlorës dhe mënyra e përzgjedhjes së anëtarit shqiptar të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Më 16 tetor 1913, pasi arritëm në Vlorë të gjashtë përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, para përfaqësuesi anglez dhe ai austriak, gjerman, italian, francez dhe ai rus, u mblodhën në ambientet e bashkisë së qytetit. Pa e informuar zyrtarisht Ismail Qemalin, për të zhvilluar mbledhjen e parë të tij. Pasi u morën vesh për mënyrën e drejtimit të Komisionit (me rotacion mujor sipas rendit alfabetik të shteteve pjesëmarrëse në të) të delegatit italian, ngriti çështjen formale të qeverisë së Vlorës nga ana e Komisionit. Ndërsa përfaqësuesi austriak, kërkoi që ata t'i drejtoheshin me anë të një letre Ismail Qemalit, ku t'i bënin me dije fillimin nga puna të Komisionit, si dhe t'i kërkonin atij emërimin e delegatit shqiptarë në KNK.

Kjo kërkesë e përfaqësuesit austriak shkaktoi tërmet në mbledhje. Delegati anglez Harri Lemb, theksonte se ata nuk mund ta njihnin qeverinë e Ismail Qemalit si autoritet kombëtar, sepse sipas tij, pushteti i saj ishte gjeografikisht dhe politikisht i kufizuar dhe si i tillë nuk mund të kishte të drejtë të zgjidhte delegatin shqiptar i cili i zgjedhur prej saj. Nuk mund të përfaqësonte gjithë shqiptarët. Me anë të një telegrami, përfaqësuesi anglez në KNK, drejtuar Ministrit të Jashtëm anglez Sër Eduart Grejit Nga Vlora më 19 tetor 1913, i bënte me dije se "si përfaqësues i Anglisë por edhe përfaqësuesit e Francës, e Rusisë, mendonin se Qeveria e Vlorës mund të njihej vetëm si një autoritetet lokal me të njëjtin status që duhej të siguronin edhe autoritetet e tjera lokale të Shqipërisë së jugut, Veriut dhe asaj të Mesme. Greji në përgjigjen e tij shprehej "Jam Dakord me ju në çështjen e njohjes së Qeverisë Provizore.

Në këto kushte pasi u morën vesh për çështjen e njohjes së Qeverisë së Vlorës si autoritet kombëtar, anëtarët e Komisionit vendosën që delegati shqiptar në KNK të zgjidhej nga vet ky institucion, i cili të seleksiononte një nga gjashtë emrat që autoritet lokale, në Vlorë Durrës dhe Shkodër do t'i dërgonin atij. Në qoftë se kjo metodë nuk do të funksiononte, atëherë u vendos me këmbëngulje të anëtarit austriak që t'i mbetej qeverisë provizore të Ismail Qemalit që të vendoste kandidaturën. Në fakt sipas Lembit, pra përfaqësuesit anglez për komision, qeveria austriake dëshironte që si përfaqësues i Shqipërisë në KNK të ishte Syrja Bej Vlora, politikan i njohur i asaj kohe, vëllai i ish vezirit të madh të Perandorisë osmane në vitet 1903-1908, Ferid pashë Vlora, ndërsa Eqerem bej Libohova përfaqësues edhe ky aktiv i elitës politike shqiptare të kohës, të zgjidhej Guvernator i Shkodrës, një çështje tjetër kjo e diskutueshme. Ismail Qemali, personalisht nuk i mbështeste kandidaturat e mësipërme, sepse i shikonte ata si rivalë politikë, por pranimi i tyre ishte pjesë e një marrëveshjes me qeveritë austriake, në këmbim të njohjes së qeverisë së tij si qeveri kombëtare.

SULMET E ESAT PASHË TOPTANIT NDAJ ISMAIL QEMALIT
Në vazhdim të diskutimeve të përditshme të KNK-së për çështjet e përmendura më sipër, në mbështetje të idesë së shumicës së anët¬arëve të tij, për mosnjohjen si qeveri kombëtare të qeveris së Vlorës dhe as të përzgjedhjes së delegatit shqiptar prej saj, u ekspozua edhe Esat pashë Toptani, i cili lëviz fuqishëm politikisht dhe diplomatikisht. Ai bombardoi me letra të gjata Komisionin me lloj-lloj akuzash për Ismail Qemalin si politikan me mentalitet osman, që mbështeste nepotizmin si shumë i korruptuar. Veç kësaj ai lëviz edhe për të shkëputur zona shqiptare nga influenca e qeverisë së Vlorës. Të gjithë këto lëvizje të Esat pashë Toptanit vendosur në Konferencën e Ambasadorëve. Përfaqësues anglez, francez dhe rus në KNK, kërkuan krijimin e një banke ku gjashtë fuqitë e mëdhatë përfaqësoheshin me kapitale të barabarta. Siç del nga dokumentet angleze, edhe vetë Ismail Qemali, ishte skeptik ndaj iniciativës austro-italiane për krijimin e Bankës Shqiptare, iniciativë që u mbështet fuqishëm edhe për arsye personale nga Libohova në mbledhjet e Komisionit. Në një takim konfidencial të Ismail Qemalit me përfaqësuesin anglez, francez dhe rus në komision, në shtëpinë e tij më 5 nëntor 1913, takim i kërkuar nga këta të fundit për t'iu ankuar atij për ekzistencën e këshilltarëve austriakë dhe ambasadorëve italinë në kabinetin e tij, e cila përbënte shkelje të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, Ismail Qemali, jo vetëm që i kishte dhënë atyre një kopje në gjuhën frënge të marrëveshjes së bankës, por sipas Lembit, në mënyrë të sinqertë i kishte shprehur shqetësimin e tij për të mos u bërë viktimë e monopolit të ndonjë fuqie të vetme europiane (fjala ishte për Austrinë dhe Italinë V.D.).
Në këtë kontekst duhet të shpjegohet gjithashtu edhe qëndrimi negativ i Ismamil Qemalit ndaj kërkesave të qeverisë italiane për t'ja dhënë në koncesion firmave italiane në portin e Durrësit, Vlorës dhe të Sarandës, qëndrime këto që çuan Ismail Qemalin në humbjen e mbështetjes së Italisë por edhe të Austrisë. Të dyja qeveritë së bashku filluan të komplotonin ndaj tij dhe jo vetëm kaq, por ehd etë mendonin ta detyronin të dilte në pension, duke duke projektuar krijimin e një qeverie të re nënë drejtimin e Omer Pashë Vrionit (latifondist nga Fieri) së bashku me Esat pashë Toptanin.

BOJKOTET AUSTRO-ITALIANE NDAJ QEVERINË SË ISMAIL QEMALIT
Në fakt qeveria austriake dhe ajo italiane përgatitën gjatë muajit nëntor-dhjetor 1913 shumë skema të reja qeverisë me ose pa Ismail Qemalin. Pasi nuk siguruan dot dorëheqjen e Ismail Qemalit dhe nxjerrjen në pension të tij, si dhe duke njohur reputacionin e tij, hodhën idenë edhe të krijimit të një qeverie të re e cila do të kishte gjashtë ministri. Dy poste do t'i jepeshin përfaqësuesve të Shqipërisë jugore, ku lakohej Mehdi Frashëri dhe Mihal Turtulli, dy përfaqësuesve të Shqipërisë veriore ku përmendeshin shumë emra, por më i lakuari ishte emri i Preng Doçit, Abati i Mirditës dhe anëtarët e tjerë të këtij kabineti do të emëroheshin nga Ismail Qemali dhe Esad pashë Toptani. Nxitimi i Italisë dhe Austrisë për të krijuar një qeveri shqiptare me shtrirje në të gjithë Shqipërinë lidhej me afrimin e datës së mbërritjes në Shqipëri të princ Vidit, i përzgjedhur tashmë nga Fuqitë e Mëdha, në mënyrë që ai të gjente në vend, jo vetëm një qeveri të gatshëm, por edhe një qeveri proaustro-italiane.

Por duke filluar nga mesi i Nëntorit, Ismail Qemali, nuk e kishte shumë të qëndrueshme situatën edhe brenda kabinetit të tij. Dikush po kontribuonte për ta minuar atë nga brenda. Myfit Libohova ish- ministër i jashtëm i qeverisë së tij, u largua për të zënë vendin e delegatit shqiptar në KNK, Hasan Prishtina, ministër i Bujqësisë dhe Lef Nosi ministër i Postë-Telegrafëve ishin larguar nga Vlora dhe vendosur në Veri në pritje të ndonjë pozicioni të ri politik pas ardhjes së Princit. Ajo që e dëmtoi më shumë qeverisjen e tij ishte largimi për "arsye familjare" i Vehbi Dibrës, kryetar i pleqësisë së dalë nga Kuvendi i Vlorës, njeri me shumë influencë në Shqipërinë Verilindore. Pas disa javësh edhe Mehmet Pashë Dralla, Ministër i Luftës, një nga më besnikët e tij, ishte larguar nga Vlora për t'u vendosur edhe ky tashmë në Durrës, në pritje të princit të koalicioneve të reja politike. Kjo situatë e vështirë si brenda qeverisë dhe ashtu dhe jashtë saj e çoi Ismail Qemalin ta konsideronte seriozisht, nëntor 1913, idenë e dorëheqjes.

Në fakt ai u këshillua nga Lemb, përfaqësuesi anglez në KNK, që të mos e hidhte këtë hap i detyruara nga një presion i brendshëm apo edhe nga ndonjë anëtarë i veçuar i Fuqive të Mëdha, pa u konsultuar me KNK-në. I ndodhur në mes të dy zjarreve, nga njëra anë largimet e njëpasnjëshme të ministrave me influencë nga qeveria e tij, dhe zëvendësimi i tyre i detyruar me njerëz anonimë, humbja e mbështetjes italiane dhe sidomos aleatët strategjik siç ishte Austria, mungesa e besimit tek ai e shteteve të Antantës, bënë që Ismail Qemali ta konsideronte seriozisht lidhjen me aleancën turko-bullgare. Kjo aleancë që ishte krijuar pas përfundimit të Konfrencës së Ambasadorëve, u kundërvihej aleancave ballkanike, si ato greke-serbe-malazeze. Xhonturqit kërkonin ta zgjeronin këtë aleancë duke përfshirë edhe shqiptarët, në krye të të cilëve, që në gusht 1913 kishin vendosur sjelljen e një princi mysliman dhe pikërisht Izet Pashën, ministër turk me origjinë shqiptare.

Fillimisht Ismail qemali ishte skeptik për seriozitetin dhe forcën e aleancës bullgare-turke, por pas bisedave të premtimeve të Grebenesë, në emër të qeverisë xhonturke se në rast fitoreje do të njihnin Shqipërinë e pavarur, së cilës do t'i rikthehej Kosova dhe Çamëria, pas premtimit se me ta do të ishte më e sigurt karriera e tij politike, si dhe pas bisedave me Konsullin bullgar në Vlorë, pranoi t'i lejonte qeverisë turke të sillte fshehurazi në Shqipëri armë dhe forca luftarake të cilat do të përdoreshin kundër Serbisë. Në parim ai pranoi edhe Izet Pashën si princ të shqiptarëve. Kjo marrëveshje nuk mbeti e fshehtë. KNK-ja e informuara nga agjentët e saj, por edhe nga kundërshtarët politikë të Ismail Qemalit.

Si Myfit Libohova dhe Syrja Vlora, mori menjëherë masa për të penguar përhapjen e komplotit. Oficerët holandezë të xhandarmërisë shqiptare, të ngarkuar nga KNK-ja, më 6 janar 1914 shpallën shtetrrethimin. Gjatë kontrollit që iu bë më 7-8 janar anijeve austriake të ankoruara në Vlorë, u gjetën në to 11 oficerë dhe rreth 200 ushtarë, shumica shqiptarë që vinin nga Turqia. Oficerët u arrestuan, ndërsa shumica e ushtarëve u kthyen mbrapsht. Gjithashtu, u arrestua edhe Beqir Grebeneja. Në gjyqin ushtarak që u zhvillua, fillimisht u dënua me pushkatim dhe më vonë, me burgim të përjetshëm. Situatën e krijuar pas zbulimit të komplotit të Beqir Grebenesë u përpoq ta shfrytëzonte në radhë të parë Esat Toptani, i cili ushtroi presion te KNK-ja për ta detyruar Ismail Qemalin të jepte dorëheqjen...

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes Shqiptarja.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi