Komuna e Prishtinës përmes një komunikate është përpjekur ta arsyetojë vonesën e vet për blerjen e naftës për ngrohje në shkollat e kryeqytetit, duke fajësuar procedurat e tenderimit. Ndërkaq, Komuna bën të ditur se të gjitha shkollat e Prishtinës nga sot janë të gatshme për ngrohje, veç dy shkollave, ben te ditur KosovaPress.

"Kontrata në fuqi për furnizimin e përgjithshëm të Komunës me naftë është e lidhur me kompaninë "OtiPetrol". Aktiviteti i prokurimit për fazën e ardhshme trevjeçare është në përfundim e sipër, ndërsa fituese ishte shpallur kompania "PetrolCompany". Në kontratë parashihej që nëse çmimi i tregut ulet në krahasim me çmimin e kontratës, Komuna do të organizojë mini-konkurrencë me tre operatorët kryesorë dhe me kete rast mund ta ndryshojë edhe kontraktorin në favor të çmimit më të ulët", thuhet në sqarim.

Sipas Komunës, sa i përket furnizimit të shkollave me naftë me qëllim të sigurimit të ngrohjes, kontrata është ndërprerë gjatë vitit të kaluar shkollor për shkak të mashtrimit të operatorit ekonomik, ku në mbi 90 për qind të shkollave të Prishtinës është gjetur vaj për ngrohje e jo naftë, siç ishte e paraparë me kontratë dhe e cila përveç mashtrimit ekonomik sillte edhe rrezikimin e shëndetit publik.