Koncerti në Tiranë, ju tregoj
gjyshin tim Antonio Gramshi

Koncerti në Tiranë, ju tregoj <br />gjyshin tim Antonio Gramshi
Antonio Gramshi i Riu (Antonio Gramchi Jr.) vjen për herë të parë në Tiranë. Është muzikant i shquar dhe është bërë i famshëm për talentin e tij në përdorimin e instrumenteve muzikore. Ai di t'u bierë deri në pesëdhjetë instrumenteve të ndryshme, të frymës dhe të inkursionit. I njeh në majë të gishtave instrumentet folklorike të të gjitha vendeve të botës dhe di t'u bierë shumë mirë atyre...Emri i tij u kujton shqiptarëve një nga figurat më interesante të Luftës së Dytë Botërore, themeluesin e së majtës italiane, Antonio Gramshin. Ky emër është edhe arsyeja që e ka sjellë Antonio Gramshin e Ri në Shqipëri. Gjyshi i tij Antonio Gramschi (1891-1937) është një nga filozofët, shkrimtarët dhe teoricienët politikë më të respektuar të historisë së Italisë. Ai ka qenë një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Italisë dhe u burgos nga Musolini nga viti 1926 deri në 1937. Në atë kohë një nga batalionet e ushtrisë Nacional-çlirimtare në Shqipëri, më 9 tetor 1943, pagëzohet me emrin "Antonio Gramshi", pasi ky batalion strehoi në gjirin e tij shumicën ushtarakëve italianë pas kapitullimit të Italisë. Këta ushtarë u morën në mbrojtje nga popullsia shqiptare, ndërkohë që një pjesë u inkuadrua në njësitë luftarake antifashiste, siç ishte batalioni partizan "Antonio Gramshi". Është diskutuar shpesh më media nëse Gramshi ka ose jo origjinë shqiptare dhe ja, vetë nipi i tij, Antonio Gramshi i Riu, edhe pse e nënën e ka ruse, pohon se në dejet e tij rrjedh gjak shqiptari. Gjyshi i tij arbëresh, Antonio Gramshi ishte një filozof i shquar italian, për të cilin janë shkruar mjaft libra. Ai hyri në histori, falë sakrificave për idetë e tij filozofike, dhe më në fund emri i tij mbeti si një nga themelueset e së majtës italiane. "I urrej indiferentët e besoj atë që thotë Friedrich Hebbel, që "të jetosh, do të thotë të jesh partizan", e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë. Kush jeton me të vërtetë nuk mundet të mos ketë qytetari dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, parazitizëm e mungesë burrërie. Indiferenca nuk është jetë e për këtë unë i përbuz indiferentët.". Kjo qe kredoja e tij filozofike, e cila shpjegon edhe kalvarin e familjes arbëreshe me mbiemër Gramshi, e cila pas Luftës së Dytë Botërore kryen shpërnguljen e radhës duke u larguar edhe më shumë nga gjaku i Arbërit e vendoset përfundimisht në Rusi. Antonio Gramshi i Riu ka lindur dhe është rritur në Rusinë e largët, por në intervistën për "Shqiptarja.com" thotë se në dejet e tij për motive të ndryshme ai trashëgon dashurinë madhe për Shqipërinë e shqiptarët.

Antonio, si mundeni t'u bini kaq shumë instrumenteve të cilat nuk janë thjesht profesionale, por instrumente folklorike të popujve të ndryshëm?
-Unë kam studiuar në një shkollë muzikore ku kam mësuar pianon, flautin dhe instrumentet që janë frymore. Ky është profili im si muzikant, luaj me shumë instrumente. Disa vite më parë më parë zbulova botën e mrekullueshme të disa prej instrumentev të vjetra popullore që janë ato të perkusionit dhe të frymës.

E, ju afër 15 instrumente i paskeni marrë me vete për të bërë koncertin. Sa instrumente zotëroni në të vërtete?
-Shumë instrumente, në të vërtetë nuk di një numër të saktë. Është vështirë t'i numërosh, sepse unë zbuloj rishtas të reja dhe kështu mund të them luaj me shumë instrumente si me frymë dhe me perskursion.

Është e vërtetë që ju mund të arrini t'u bini edhe 50 instrumenteve, siç kemi dëgjuar?
-Është e vërtetë. Nuk i numëroj dot saktë, por besoj se janë 40-50 instrumente gjithsej që di t'i përdor.
Babai juaj Xhuliano Gramshi, ishte i biri i filozofit hde politikanit të njohur Antonio Gramshi. Kujtimet tuaja na interesojnë shumë ne shqiptarëve. Gjyshi juaj në

Shqipëri është shumë i njohur. Një batalion partizan mbante emrin e tij?
-Ah, ju prisni që t'ju sjellë shumë kujtime nga ato të familjes, por do t'ju them një të vërtetë, që për arsye të ndryshme të fatit të familjes dhe kohës më kanë mbetur pak kujtime. Familja ime kishte mbetur në Rusi gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe gjyshi meqë ishte i burgosur nga Musolini kishte pak mundësi të fliste me familjen e tij. Babai im ishte në barkun e nënës së tij (gjyshes sime) kur ne mbetën në Rusi, ndërsa gjyshi ishte i burgosur. Ajo komunikonte vetëm me letra. Kështu informacionet më të mëdha mbi jetën dhe veprimtarinë e gjyshit i mora kur u rrita duke lexuar librat.

Çfarë thoshin librat?
-Është një libër me biografi i shkruar nga Giuseppe Fiori një studiues i madh ku ka bërë shumë komente për figurën e Gramshit dhe luftës. Kjo është biografia më e njohur në botë, ku jo vetëm unë por të gjithë janë informuar për jetën e gjyshit tim.

U befasuat me ato që lexuat në libra?

Po. Ajo që më ka tërhequr më tepër vëmendjen ka qenë vullneti i gjyshit tim që si një person i mbyllur brenda burgut, ai ende vepronte, ndihej i gjallë.

Po babai juaj e kujtonte Antonion?
-Ju thashë që babai im ishte në barkun e nënës, kur gjyshin tim e futën në burg. Babai im me të atin e vet, nuk janë parë asnjëherë ballë për ballë, shumicën e njoftimeve dhe kujtimeve e kemi nga letra që ata kanë vijuar me njëri-tjetrin, kur gjyshja një grua shumë e re, priste ardhjen në jetë të babait tim. Antonio jetonte brenda hekurave të burgut.

Ju keni trashëguar emrin. Cila është jeta e Antonio Gramshit të Riut?
-Unë nuk jam politikan. Jam një muzikant dhe jap mësime muzike në Moskë, atje ku jetoj. Pasioni im është muika dhe instrumentet e larmishme muzikore. Sigurisht kam lindur në një mjedis muzikor. Nëna ime ishte muzikante e mirë.

Muzikën e keni të trashëguar në familje?......
-Po Po... Por kam studiuar më tej.

Sa e keni njohur traditën muzikore shqiptare?
-Jo aq shumë. Mësova kur kam filluar të studiojë muzikën ballkanike. Shumë më herët nuk kisha si ta njihja muzikën shqiptare, sepse gjyshërit e mi kanë ikur nga trojet arbëreshe në Itali prej një shekulli. Me arbëreshët kanë jetuar vetëm stërgjyshërit e mi. Kështu që në kujtesën time më tepër janë ruajtur foto, vende, tregime familjare sesa tradita muzikore. Por megjithatë gjithmonë e pohonim origjinën shqiptare. Kështu lidhja me muzikën shqiptare erdhi më vonë. Unë vura re se ritmi i muzikës ballkanike është tek, një mënyrë e veçantë dhe ky studim më afroi edhe me muzikën shqiptare.

Sa ditë keni në Shqipëri?
-Katër ditë.

Çfarë menduat kur iu thanë se do të vinit në Shqipëri?
-S'kam pasur ndonjë imazh të veçantë për Shqipërinë, kam pasur disa fotografi të nënës sime, e cila në vite '50 ka ardhur në Shqipëri për të dhënë mësime muzike, leksione, etj. Ishte koha e miqësisë së madhe me Rusinë.

Nëna juaj është arbëreshe?
-Jo. Është ruse. Por kur u prishën marrëdhëniet me Shqipërinë ajo u detyrua të kthehet në atdhe.

Si janë njohur prindërit tuaj?
-Është një koincidencë vërtet e jashtëzakonshme, sepse në vitet '50 më Moskë, i vetmi shqiptar duhet të ketë qenë babai im. Mamaja ime u mërzit që e larguan nga Shqipëria. Meqë kishte punuar në Shqipëri, ajo kishte krijuar një mendim shumë të mirë për shqiptarët. Takimi me babanë tim ishte një koincidencë disi misterioze. Kur ajo sapo u kthye nga Shqipëria në Rusi dhe jetonte me kujtimet e saj atje, njohu këtë person dhe e pëlqeu menjëherë. Në fillim nuk e dinte që ishte me origjinë shqiptare. Kur e mësoi, mbeti shumë e impresionuar dhe në familjen tonë ajo vazhdoi ta ruante dashurinë për shqiptarët dhe Shqipërinë.



Si erdhi Antonio
Gramshi I Riu në Tiranë

Instituti Mesdhetar MEME i drejtuar nga Mario Brunetti; Shoqata e albanologëve “Lisi i Arbërit” me president Alfred Uçin, në bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, organizuan konferencën “Dy Rilindjet”, kushtuar 150- vjetorit të Unitetit të Italisë dhe 100- vjetorit të pavarësisë shqiptare. Organizatorët në kuadër të këtij bashkëpunimi sollën në Shqipëri Antonio Grashmin të Riun, i cili falë mjeshtërisë së tij për të luajtur me dhjetëra instrumentet ha një koncert me muzikë instrumentale në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Koncerti qe një surprizë e jashtëzakonshme për të pranishmit. Koleksioni i instrumenteve dhe loja e tij në to, janë një kapitull tjetër i ndritur në historinë e familjes Gramshi.

(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete