Ditën e sotme, për herë të parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e pranoi se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave nga ana e koncesionarit. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Evis Sala, premtoi se ky ngërç do të zgjidhet brenda vitit.

Lidhur me këtë situatë, ka reaguar deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se është skandaloze dhe e papranueshme që në QSUT, pas datës 20 të çdo muaji, pacientëve të shtruar t’u mohohen analizat bazë jetike.

Në reagimin e saj Xhixho shtoi se është e papranueshme që qytetarët të përballen me mungesë ekzaminimesh mjekësore për shkak të mungesës së fondeve.

Reagimi i Xhixhos:

Është skandaloze dhe e papranueshme që në QSUT, pas datës 20 të çdo muaji, pacientëve të shtruar t’u mohohen analizat bazë jetike.

Kjo do të thotë se nëse një qytetar sëmuret pas kësaj date, ai përballet me mungesë ekzaminimesh – jo për shkak të mungesës së mjekëve apo kapaciteteve, por për shkak të mungesës së fondeve.

Si është e mundur që shëndeti i qytetarëve të varet nga një datë në kalendar? Ndërprerja e analizave për shkak të mungesës së buxhetit është alarmante dhe e papranueshme.


Lajmi kryesor:

QSUT, koncesionari s’ofron analiza pas datës 20 të çdo muaji, ministrja Sala e pranon: E zgjidhim brenda vitit