Deputeti i PS, Erion Braçe ka propozuar një auditim 10-vjeçar të kontratave koncesionare në shëndetësi, check up dhe sterilizimi. Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare dhe Komisionit të Ekonomisë, Braçe tha se duhet një auditim nisur nga fakti se KLSH thotë se po marrin para pa dhënë shërbimin.
“Koncesionet e Check Up, Hemodializës e Sterilizimit janë në limite të përmbushjes së afatit që ka. Në kontrata është thënë që sistemet që krijohen i kalojnë sistemit publik, por ju evidentoni se koncesioni hemodializës është me probleme të mëdha sa i takon pagesave që kryhen për të. Po lexoj nga raporti- “Edhe për vitin 2023, kontrata koncesionare “Për ofrimin e hemodializës” , ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në shumën 103,527 mijë lekë. Këtë gjetje e kam hasur vazhdimisht në vitet, është e njëjta sjellje vit për vit. Cili është rekomandimi që i keni bërë autoritetit përkatës që monitoron këtë kontratë që ka mbaruar praktikisht? Do doja që të kishim një auditim të plotë të 10-viteve të këtyre kontratave, nga dita e parë deri në fund të këtyre kontratave, që të ndihmohet edhe MSH nëse do i zgjasë, ti lë matanë apo të vazhdojë shërbimi publik”, tha Braçe.
Nga ana tjetër, kreu i KLSH, Arben Shehu që prezantoi në komision raportin për vitin që lamë pas tha se qeveria duhet të bëjë një analizë për rikuperimin e dëmit.
"Për kontratat në shëndetësi kemi kryer veprimet, ua kemi vënë në dispozicion të Kuvendit. Ne jemi shprehur për problematikat, dhe shteti duhet të bëjë një analizë të detajuar për të rikuperuar dëmin brenda afateve të detyrueshme", tha Shehu.
Lajmi kryesor:
Raporti i KLSH/ Shehu: Kemi bërë 13 kallëzime penale, shkelje në menaxhimin e parave! Pagesa për kontratat në shëndetësi pa u dhënë shërbimi












