Konferencë në Elbasan, T’i hiqet gegërishtes
çdo pengesë  për t’u shkruar, botuar e promovua

Konferencë në Elbasan, T’i hiqet gegërishtes<br />çdo pengesë  për t’u shkruar, botuar e promovua
Ja rezoluta e dalë nga konferenca e dytë organizuar javën e shkuar në Elbasan nga Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe.

Ditën e shtunë, datë 14 qershor, në një nga sallat e bibliotekës publike të qytetit të Elbasanit, dega elbasanase e Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe (IPVGjSh) zhvilloi konferencën e dytë mbarëkombëtare me temën “Gegnishtja sot dhe elbasanishtja”. Në të morën pjesë studiues, filologë,  pedagogë dhe njerëz të letërsisë dhe gjuhësisë nga disa rrethe. Mësues dhe studentë, dashamirës të gjuhës e letërsisë shqipe, si dhe specialistë të disiplinave sociolinguistike dhanë kontributin e vet me kumtesat dhe diskutimet e tyre.Temat ishin nga më të larmishmet dhe nuk munguan kritikat për politikat e ngushta gjuhësore të së kaluarës dhe për praktikat e ndrojtura ndaj vetë parimeve të Kongresit të Drejtshkrimit 1972.

Nga të gjithë kumtuesit pothuajse u theksua me të madhe nevoja për një prani më të gjërë dhe pa paragjykime të gegërishtes në shestimet e reja dhe përmirësimet e standardit. Por theksi kryesor u vendos mbi nevojat urgjente të “shpëtimit” të gegnishtes, të mirëmbajtjes së saj dhe të mbrojtjes së saj si kryedialekt konstitutiv i shqipes që mbart një letërsi të pandërprerë prej rreth 500-600 vjetësh e që deri në ditët e sotme jep një produkt serioz  me vlera të spikatura. Në fund konferenca doli me përfundimet e saj në formën e një rezolute që u drejtohet instancave gjuhësore dhe shtetërore për të mbështetur praninë e përbërëses gege brenda standardit të përmirësuar dhe të pasuruar të shqipes.

Rezoluta
Rezolutë e konferencës së dytë të Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe Elbasan, qershor 2014
Dega e qytetit të Elbasanit e Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhë Shqipe (IPVGjSh), në konferencën e saj mbarëkombëtare të mbajtur në Elbasan datë 14.06.2014, pasi shqyrtoi një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë që kanë të bëjnë me nevojat imediate të rilancimit të gjuhës shqipe në kushtet e zmadhimit të arealit ndërkomunikues shqiptar, si dhe me perspektivën njëkalimëshe që ka bota shqiptare për t’u integruar në familjen e madhe europiane, gjë që do ta rrisë impaktin gjuhësor të saj me gjuhët e mëdha të kulturës dhe shprehësisë, shprehu shqetësimin për fatin e papërcaktuar të gegërishtes si pjesë e madhe konstitutive e gjuhës shqipe, që flitet prej rreth katër milionë shqiptarësh dhe shkruhet prej një grupi përherë në rritje letrarësh cilësorë.

Specialistë, njohës dhe përdorues të vetdijshëm të gjuhës u shprehën kritikë me praktikat e Kongresit të Drejtshkrimit, i cili, megjithë përshkrimin e ekuilibruar të marrëdhënieve mes dialekteve në shestimin e profilit të standardit, në realitet nuk arriti t’i kapërxejë me sukses zotimet e veta fillimore për një gërshetim dialektor. Qoftë për shkak të parimit fonetik të toskërishtes që u vu në bazë të standardit, qoftë për zhvillim të paparashikueshëm të një prirjeje autotelike të vetëmjaftueshmërisë, gegërishtja e famshme e boshtit vertikal dhe horizontal të kulturës mbarëshqiptare, e  të folurit dhe e shkrimit letrar u “dëbua” faktikisht nga gostia gjuhësore e shqiptarëve. Për arsye që gjenden në instinktet e së shkuarës moniste, gegërishtja u rrëzua në prestigj dhe ajo iu lëshua një fati të papërcaktuar.

Kjo vlerë e madhe e qytetërimit shqiptar u zhgrrye e u përqesh, u difamua dhe u la pas dore, thua se në të nuk ishte shkruar një letërsi e mbushur me parësi, që nga agu i Rilindjes europiane ku duhet të zgjoheshim edhe ne, e deri tek modernistët shqiptarë të fundshekullit XX. Kërkesave të përsëritura nga ana e jonë për një përgjigje të përgjegjshme se, po të humbiste gegërishtja, çfarë do të bëhej me letërsine e madhe gege, me monumentet e shpallura si të tillë të gjuhës shqipe, me « Eposin e Kreshnikëve », me « Përrallat Kombëtare » dhe me « Kanunin e Lekë Dukagjinit », qendrat e mëdha të studimit e të prestigjit shkencor nuk i kanë dhënë ende asnjë përgjigje. Kjo na detyron të mendojmë se ata nuk merakosen për humbjen e gegërishtes dhe pasojat e kësaj humbjeje.

Një pjesë e madhe e debatit të ndezur kohët e fundit lidhet me faktin se disa gjuhëtarë të shkollës gjuhësore preskriptiviste të Tiranës e kanë kuptuar se standardi nuk mund të zhvillohet në asnjë drejtim tjetër përveç se atij të gegërishtes, me format e saj të reduktuara sociolinguistikisht ekonomike si dhe me morinë e nuancave që i mungojnë motrës së tij të vogël, toskërishtes. Ky fakt e bën të domosdoshëm vijimin e debatit dhe përfshirjen në të të sa më shumë specialistëve, jo vetëm nga fusha e gjuhësisë, por ajo e sociolinguistikës, psikologjisë, filozofisë, antropologjisë, jurisprudencës, moralistikës, fesë dhe shumë nga ajo e forcave krijuese letrare.

Duke peshuar sesa rëndësi jetësore ka për ruajtjen e kulturës kombëtare si dhe për afirmimin e pertinencave specifike identitare gjuha, kultura e gjuhës dhe gjuha e kulturës, të cilën ne e kemi për fat të mirë ende, kërkojmë të sensibilizohet jo vetëm shoqëria që e ndien, por s’e identifikon dot si pengesë, por edhe qendrat e kërkimit gjuhësor e letrar, katedrat e gjuhës e letërsisë në universitetet tona të dy kryeqyteteve e kryeqendrave tona brenda dhe jashtë shtetit amë, qendrat e studimit specifik gjuhësor dhe Akademia e sotme e Shkencave, e Tiranës dhe e Prishtinës, QSA-ja,  Ministria e Arsimit e Sporteve që harton kurrikula, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, si dhe Ministria e Kulturës, ajo e Prishtinës dhe, sidomos, ajo e Tiranës që ka marrë përsipër të ruajë trashëgiminë jomateriale dhe të rijetëzojë gjuhën.

Kërkojmë:
* shteti shqiptar që, me vetdije dhe përkushtim, po i afrohet BE për t’u bërë pjesë e establishmentit të tij, të respektojë marrëveshjet e ratifikuara prej tij dhe të respektojë parimet e mrekullueshme të shpirtit unitar europian mbi ruajtjen dhe zhvillimin e diversitetit kulturor

* të përgatiten shkallë-shkallë kushtet për një normëzim modern e praktik të gegërishtes e cila, që në krye të herës, është shfaqur e gatshme për të “shkarkuar” elementet joqenësore të fjalës
* katedrat e gjuhës shqipe pranë fakulteteve të fokusohen në studimin e veçantive të këtij kryedialekti dhe të bëjnë shkallë-shkallë propozime për afrime drejtshkrimore të standardit me format e reduktuara gege që kanë 100 vjet që e kanë fituar qytetarinë në shqipen

* të bëhen studime, sipas udhëzimeve shumë serioze të Çabejt, për studimin e gegërishten me perspektivën e përafrimit të dy kryedialekteve tona në një shtrat të përbashkët jopreskriptiv, por evolutiv
* të adoptohen nga institucionet tona të monitorimit gjuhësor metodat eksperimentale dhe teknologjia e matjeve gjuhësore për përcaktimin e prirjes zhvillimore të gjuhës
* për dëmtimet dhe humbjet e saj gjatë këtyre 70 viteve të fundit gegërishtja të planifikohet që të vihet në mbrojtje me statusin e vlerës jomateriale që “MBROHET  NGA  SHTETI”
* t’i hiqet gegërishtes çdo pengesë formale dhe joformale për t’u shkruar, botuar dhe promovuar

* të rilancohet gegërishtja si një idiomë e gjuhës amtare që ka derdhur e derdh kontribute të mrekullueshme në llogarinë e letërsisë mbarëkombëtare me cilësi artistike dhe me spikamë estetike 
* elementë të gegërishtes të futen pa vonesë e gradualisht nëpër shkollat e sistemit unik parauniversitar dhe të mundësohet përthithja pa firo e letërsisë historike dhe të sotme gege.
* të promovohen vepra dhe krijime në gegërisht. Madje do të ishte e udhës që shteti duhet të marrë përsipër të subvencionojë gegërishtshkruesit, të cilët, për hir të së vërtetës, janë të sakrifikuar qysh në çastin kur ata mendojnë se i drejtohen një auditori më të kufizuar.

* në të gjitha mbledhjet, tubimet, konferencat e takimet vendimmarrëse të botës shkencore gjuhësore shqiptare gegërishtja të konstituohet si PALË dhe të përfaqësohet prej studiuesish që kanë dhënë prova se nuk kanë qenë kurrë për përjashtimin e gegërishtes nga gignesthe-ja gjuhësore e letrare e kulturës shqiptare.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit