Projektbuxheti i vitit 2026 shkaktoi diskutime në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve. Demokratët kërkuan një mocion me debat mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik, për të cilën nuk pati dakordësi. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën se e ka kthyer axhendën e Kuvendit në axhendë të qeverisë, ndërsa deputetja Jorida Tabaku tha se qeveria jo vetëm që nuk e përfshin minimumin jetik si një masë të rëndësishme në mbështetje të qytetarëve, por nuk po lejon as debat.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha për gazetarët pas Konferencës se opozita në këto dy muaj, ka paraqitur kërkesa për mocion me debat më shumë sesa në 4 vite legjislaturë. Sipas tij, nuk mund të kërkohet një mocion me debat për minimunin jetik ndërkohë që po diskutimet për këtë projekt buxhet po zhvillohen. Balla tha se Berisha po bën një “evasion kërkesash” për të bërë rendin e ditës në Foltoren e thirrur para kryeministrisë.
“Të gjitha këto, gjithë ky evazion kërkesash vjen me qëllim vetëm të themi që bëjmë një kërkesë që në formë edhe u gjen një zgjidhje si të pranohet, dhe themi që nuk na u pranua të bëjmë një numër të caktuar kërkesash.Dhe e di kush është e bukura? Sapo u ulëm në konferencën e kryetarëve, fap kishte ardhur një kërkesë. Ne ishim mbledhur për një kërkesë, na erdhi një kërkesë tjetër. Dhe unë e di dhe po e them sot, po e them edhe publikut: nuk janë kërkesa që duan t’i shqyrtojnë në Kuvend, as seancë. Këto janë rendi i ditës i foltores që do vendoset në bulevard.”, tha Balla.
Nga ana tjetër, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi maxhorancën se në dy muaj iu ka rrëzuar 5 kërkesa për mocione me debat, 3 për komision parlamentar hetimor dhe 2 për interpelancë me kryeministrin. Sipas tij, projekt buxheti cenon të drejtat kushtetuese të qytetarëve për caktimin me ligj të minimunit jetik. Kolegët socialistë i cilësoi si "shurdh memecë" që ndjekin vetëm urdhrat e partisë.
"Qartësisht në këtë projekt buxhet cenohen të drejtat kushtetuese të qytetarëve për caktimin me ligj të minimunit jetik. Dua ta bëj publikisht pyetjet që i bëra Ballës: masat për ndihmat ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta është rreth 40 mijë lek të vjetra, dhe Balla duhet tu shpjegojë shqiptarëve nëse mundet të jetojë me 40 mijë lek të vjetra, sic jeton një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare.", tha Bardhi.
Iu përgjigj Ballës teksa tha se protestën para Kryeministrisë po e bëjnë se nuk iu lejojnë që të ushtrojnë të drejtën e tyre në Kuvend.
"Një nga arsyet pse është thirur protesta është se opozitës nuk po lejohet të ushtrojë të drejtat e veta në kuvend. Nëse ti refuzon çdo mocion, a mund të kemi një arsye pse kuvendi nuk duhet të diskutojë për mungesën e ilaçve në spitale. Cili është motivi që PS votoi kundër mocionit për mungesën e ilaçeve në Onkologjik? Pse nuk lejohemi të diskutojmë përcaktimin e minimumit jetik, për luftën ndaj krimit të organzuar etj", tha Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u pyet nga gazetarja Esiona Konomi lidhur me spekulimet se ka një marrëveshje me PS që Sonila Bejtja të bëhet komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ai tha se Bejtja është tërhequr nga gara.
Sipas Bardhit, Bejtja ka dërguar një email, përmes të cilit sqaron se ka menduar se procedurat do të zgjasnin dhe deri atëherë do të ishte zëvendësuar si gjyqtare në Kushtetuese. Bardhi tha se sa të jetë ai në krye të grupit parlamentar s'do të ketë bisedime nëpër kafene.
"Sonila Bejtja, anëtare e Kushtetueses, ka njoftuar komisionet parlamentare për tërheqjen e saj nga gara menjëherë sa është shpallur për shkak se ka papajtueshmëri për funksionin e anëtarit të Kushtetueses. Në email argumenton se nuk ka menduar që procedura do përmbyllet në një afat kaq të shpejtë. Pra ka gjykuar që procdedura do të merrte kohën e vet dhe do të korrespondonte me largimin e saj nga detyra.
Për pasojë nuk ka asnjë marrëveshje të tillë. Dua të sjell në vëmendje që edhe legjislaturën e shkuar Avokati i popullit nuk është zgjedhur me konsensus për një arsye të vetme: Sa të jem unë kryetar i grupit të PD nuk ka për të pasur asnjë bisedim në kafenetë e kuvendit. Çdo diskutim të bëhet në organet e kuvendit.', tha ai.
Më herët u bën publikë edhe emrat e kandidatëve për pozicionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të dorëzuara në Kuvend.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se kanë kërkuar mocion me debat për projektbuxhetin e vitit 2026 për shkak të mungesës së përcaktimit të minimumit jetik. Sipas tij, me këtë projekt buxhet cenohen të drejtat kushtetuese të qytetarëve për caktimin me ligj të minimunit jetik.
“Sqaroj opinioni publik se maxhoranca në kuvend, vijon me projektin për asgjesimin e parlamentarizmit dhe çdo mekanizmi kontrolli që parashikon rregullorja,. Gr i PD, në ushtrim të drejtave, ka depozituar një mocion me debat për mungesën e një ligji të posaçëm siç ndodh në çdo vend të rajonit dhe të evropës, për caktimin e minimumit jetik. Qytetarët kanë parë se ka ardhur në kuvend projekt buxheti 2026 dhe para tre ditësh edhe paketa fiskale apo ligjet financiare që shoqërojnë. Qartësisht në këtë projekt buxhet cenohen të drejtat kushtetuese të qytetarëve për caktimin me ligj të minimunit jetik. Dua ta bëj publikisht pyetjet që i bëra Ballës: masat për ndihmat ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta është rreth 40 mijë lek të vjetra, dhe Balla duhet tu shpjegojë shqiptarëve nëse mundet të jetojë me 40 mijë lek të vjetra, sic jeton një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare. A mundet një familje me 4 persona të paguajë detyrimet për energji, ujë e ngrohej me ndihmën që jep shteti 40 mijë lekë në muaj. Është fakt dhe përmendet edhe në kërkesën për mocion me debat se sipas rekomandimeve nga organizata ndërkombëtare e punës, Banka Botërore, FMN dhe studime nga Avokati i Popullit, se përcaktimi i një treguesi zyrtar të minimumit shqiptar është kërkesë e vazhdueshme ndaj qeverisë shqiptare. Grupi jonë ka kërkuar mocion me debat. Që nga nisja e kësaj legjislature në ushtrim të të drejtave tona, kemi propozuar mekanizmat e kontrillit ndaj ekzekutivit, por maxhoranca me forcën e kartonit ka vendosur t’i refuzojë. Në dy muaj, na janë refuzuar 5 mocione me debat, 3 kërkesa për jkomision hetimor dhe 2 për interpelancë me kryeministrin.”, tha ai.
Socialistët komentojnë për herë të parë fletëthirrjen e Sali Berishës nga SPAK për krimin shtetëror të 21 Janarit. Për gazetarët, pas Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla e cilësoi si qesharake lojën që bëri Berisha për t’iu shmangur llogaridhënies në Prokurorinë e Posaçme për këtë çështje.
Sipas Ballës, sa herë që kryedemokrati duhet të përballet me drejtësinë, ai thërret protesta. Akuzoi gjithashtu se edhe sa herë Shqipëria shënon hapa drejt anëtarësimit në BE, Berisha thërret protesta, si kjo e sotmja, që ka paralajmëruar para kryeministrisë dhe që e ka cilësuar si një “Foltore” paralele me Kuvendin.
“E dinë shqiptarët prej shumë vitesh, që nga viti 1998. Një pjesë prej jush nuk kishin lindur në vitin 1998, kur Kuvendi i Shqipërisë i hiqte imunitetin Sali Berishës janë thirrur protesta. Kur sot Prokuroria e Posaçme i dorëzon, pas një situate më qesharake që nuk ka, nuk ka parë ndonjëherë… që shkon te sekretaria e Kuvendit, siç pamë nga njoftimet, dhe shkon te zyra e grupit parlamentar të Partisë Demokratike t’i dorëzohjë një zarf me një njoftim, dhe sekretaria e grupit thoshte “nuk e pranoj”, a po shkon te selia e partisë dhe nuk e pranojnë. Por megjithatë, kthehemi te kronologjia historike.
Në 1998 hiqej imuniteti – kishte protesta. Vijmë më vonë, në vitin 2019, kur i hiqet viza amerikane, Partia Demokratike linte mandatet dhe shkonte në protesta. Vijmë më vonë, në vitin 2023, kur përsëri nga drejtësia shqiptare merret një masë ndaj tij, prapë kemi protesta. Edhe sot, kur zotëria thirret si person që ka dijeni, imagjinoni, si person që ka dijeni. Të gjithë jemi thirrur në prokurori për të dhënë informacion mbi çështje që kemi dijeni.
Ka dhe kolegë të mi që shkojnë për çështje që janë o nën hetim o nën akuzë Dhe këta, këta "dashnorët" e drejtësisë së re, kur bie fjala për kërkesa ndaj kundërshtarëve, ta marrin dhe ta tundin kërkesën në sy dhe thonë: “Ku është filani? Pse nuk ka ardhur sot filani?” Po ky filani që sot ka thirrur... Protesta është e drejtë, legjitime, demokratike, dhe nuk i hyjmë këtij diskutimi.
Por ky është një diskutim që mendoj e bën sot në mendjen e tij çdo qytetar shqiptar: proteston kur të thërret ty drejtësia dhe kërkon protesta kundër atij që e ka thirrur drejtësia. Kjo është një hipokrizi që e dini si u shkon fati këtyre. Fati i këtyre dihet, zgjedhjet e radhës vijnë prapë dhe ti vazhdon thellon diferencën e humbjeve, me humbjen pararendëse. ", tha ai.
Pas dy refuzimeve të mëparshme, SPAK ia dorëzoi në dorë fletëthirrjen e tretë Sali Berishës pasi ai u paraqit në Prokurori në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën Partizani.
Komente











