Kërkesa e PD për mocionin me debat për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian është rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve pasi nuk arriti dakordësinë. Tashmë kërkesa i kalon seancës për vendimmarrje.

Me thirrjen për të dëgjuar zërin e qytetarëve, deputetët e opozitës thanë në Konferencën e Kryetarëve se parlamenti e ka detyrim diskutimin për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian. Njëzëri, ata thanë se PE e përmend protestën si shqetësim në raport.

Gazment Bardhi i përsëriti mazhorancës se e ka tmerr debatin pasi “kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund.” Ai sulmoi edhe Taulant Ballën për të cilin u shpreh se “thotë të pavërteta” pasi fillimisht deklaroi se debati do të bëhej, por u spraps pas miratimit të raportit.

"Ju kemi tmerr nga debati për Raportin e PE. Ju nxin në çdo fjali. Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni? Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon ashpër sa i përket ligjeve me porosi dhe ligjeve klienteliste. Ngre alarmin për lirinë e medias. Ju nuk mund ta mohoni këtë debat parlamentar. Keni qenë vetë ju, e përsëris, që në seancë keni thënë se debati parlamentar do të zhvillohet pasi raporti të miratohet në Parlamentin Europian. Kjo është një detyrë që ne duhet ta bëjmë. Nëse ky Kuvend nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat", tha Bardhi.

Duke iu referuar protestave të PD, Balla akuzoi deputetët se po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe po flasin në emër të tyre. Madje i sfidoi që nëse duan dorëheqjen e qeverisë, të bëjnë një mocion mosbesimi dhe të mbledhin firmat.

“Keni ardhur këtu me kërkesat e protestuesve, madje dhe i keni deformuar ato. E para unë nuk iu qas e as ju njoh fare për përfaqësues të protestës. Ju jeni humbësit më të mëdhenj të kësaj proteste. E dyta kërkoni mocion me debat për dorëheqjen e qeverisë. Po keni këllqe dhe fundshpinë hajde bëni mocion mosbesimi, mblidhni firmat dhe caktoni kandidatin tuaj për kryeministër”, i sfidoi kreu i grupit parlamentar të PS.

“Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Ju e keni raportin dhe po jua citoj këtu. Është Parlamenti Europian që ka diskutuar për zgjedhjet dhe për korrupsionin. Ka diskutuar për imunitetin e Belinda Ballukut dhe ka dënuar mbrojtjen politike që ju i garantuat. Protestuesit flasin për gjendjen e vështirë ekonomike, një shqetësim që është ngritur edhe nga partnerët tanë europianë. Ata kanë folur edhe për ligje që e trajtojnë pronën publike si plaçkë korrupsioni. Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë, nuk keni asnjë investim strategjik të mirëfilltë, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj. Prandaj, dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre”, tha Jorida Tabaku.

Ndërsa Bardhi u shpreh se mazhoranca s’flet për protestën sepse ‘përgjon’ qytetarët për t’i sulmuar.

“Ne dëgjojmë qytetarët dhe përcjellim shqetësimet e tyre. Nuk jemi ne si ju, që çdo ditë fshiheni pas vrimës së çelësit dhe denigroni vajza e gra që protestojnë. Po lini nam. Ti, Ulsi, qesh sepse sheh makinat e emigrantëve, por nuk sheh makinat tuaja. Ajo që po bëni është skandaloze dhe detyra jonë është t’i dëgjojmë qytetarët. Këtë po bëjmë ne, dëgjojmë zërin e tyre dhe përdorim çdo instrument që kemi në dorë për të përcjellë shqetësimet dhe kërkesat e tyre. A e kuptoni se në çfarë absurditeti jeni? Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Por ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit”, tha Bardhi.

Duke e quajtur “absurd” mostrajtimin e protestave në Kuvend, deputeti i PL, Tedi Blushi tha se parlamenti duhet të ketë “kryeaxhendë kërkesat e shqiptarëve.”

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:26
Mocion mosbesimi për qeverinë? Bardhi i përgjigjet Ballës: Aksionet e grupit të PD nuk i dikton ti, ti miraton ligje për t’i dhënë favor Artur Shehut

1782382884_gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratave të Taulant Ballës i cili i kërkoi të dorëzojnë mocion mosbesimi për qeverinë. Bardhi i tha Ballës se nuk i sugjeron ai aksionet e grupit të PD, duke shtuar me ironi se e vetmja gjë që mund të sugjerojë është miratimi i ndonjë ligji që favorizon Artur Shehun, pronarin e tokave ku do të ndërtohet resorti në Zvërnec.

"Aksionet e grupit të PD në kuvend nuk i sugjeron Balla, e vetmja gjë që sugjeron Balla është të miratojë ligj për ti dhënë favor Artur Shehut dhe grupeve kriminale në vend. Çdo lëvizje e PD duhet të jetë realiste dhe mos të bëhet për shoë politik. E sigurt është që Balla është kreu i grupit, në një grup ku gjysma e grupit e urren për shkak të sjelljes së tij në raport me deputetët. Imagjinoni tani urrejtjen që kanë shqiptarët", tha Balla. 

Ora 12:23
Bardhi reagon për deklaratat e Ali Ahmetit: Po keqpërdoret nga PS

1782382856_gazmentbardhi.jpg

Në sulmet që bëri ndaj Taulant Ballës, Gazment Bardhi përmendi edhe videon e Ali Ahmetit ku fliste për pasojat e protestave në Tiranë. Duke iu referuar Ahmetit, kreu i grupit parlamentar të PD tha se ai po keqpërdoret nga mazhoranca “me gënjeshtra e broçkulla.”

“Luan atë rol që s’e luan asnjë parlamentar në botë, të nxjerrjes së fletërrufeve të qytetarëve që protestojnë, fyejë e intimidojë qytetarët që protestojnë, të arrijë deri aty sa të keqpërdorë luftën çlirimtare të Kosovës për temë dhe debat dite në Shqipëri, të keqpërdorë figura kombëtare si rasti i Ali Ahmetit me gënjeshtra dhe broçkulla në raport me qytetarët që ishte një rrezik, ishte shqetësuar shumë i nderuari miku i Shqipërisë për qytetarët që protestojnë. Detyruan djalin e Hashim Thaçit të vinte se donte Rama një foto”, tha Bardhi.

Ora 12:04
Bardhi: Mazhoranca e rrëzoi pa argument mocionin për protestën dhe raportin e PE! Kuvendi i vetëm në botë që s’flet për protestat

 

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se Kuvendi është i vetmi që s’i ka kushtuar vëmendje protestave në Tiranë, ndryshe nga institucionet europiane. Më tej, tha se rrëzimi i tri kërkesave të PD për mocionin me debat për protestën dhe raportin e PE nga mazhoranca u bënë pa argument.

“Është fakt i njohur botërisht që protesta e qytetarëve shqiptarë ka marrë vëmendjen e disa parlamenteve europiane. Ka marrë vëmendjen e eurodeputetëve në seancën e fundit të PE. I vetmi parlament në rruzullin tokësor që s’i ka kushtuar vëmendje, është parlamenti i Shqipërisë. Grupi parlamentar i PD ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente në raport me shqetësimet e qytetarëve nëse i ka marrë në konsideratë, së dyti për rolin që do të duhet të luajë në adresimin e tyre dhe gjithashtu ka dorëzuar një mocion me debat për raportin që cakton detyrat e shtëpisë. Kjo rezolutë do të duhej të ishte që nga dita 1 plani ynë i punës. Të tria kërkesat janë rrëzuar sot pa argument dhe me fjalët se po bëjmë zëdhënësin e protestuesve”, tha Bardhi.

Ora 12:00
Mocioni me debat për raportin e PE, Balla: PD e paaftë, kërkesa binte ndesh me rregulloren! Mund ta gjejmë zgjidhjen

1782380662_balla.JPG

Sa për kërkesën e mocionit me debat të PD lidhur me raportin e PE për Shqipërinë, Balla u shpreh se nuk e kanë paraqitur sipas rregullores duke theksuar se u qëndron fjalëve për ta realizuar.

“Nuk ka hezitim. Kam thënë që ju jeni të paaftë sepse nuk dini të bëni edhe një kërkesë. Kanë sjellë një kërkesë për mocion me debat për rezolutën e raportit të Komisionit, se i ngatërrojnë ata. Për të njëjtën çështje brenda sesionit s’mund ta zhvillosh një mocion me debat 2 herë. I kam thënë unë jam i gatshëm, por mbi respektimin e rregullores nuk vë askënd. Risilleni në formën që lejon rregullorja. Kam thënë që do të kemi një debat për raportin e Këshillit të Integrimit Europian dhe aty të fusim edhe gjetjet e rezolutës. Jemi në kushtet që mund ta gjejmë një zgjidhje, do ta them edhe në seancë plenare. Mëso si ta formulosh kërkesën që mos të bjerë ndesh me parimet e rregullores. Procesi i anëtarësimit në BE do të mbyllet me Edi Ramën kryeministër dhe PS shumicë parlamentare”, tha Balla.

Ora 11:59
Balla: Nuk ka asnjë dyshim se Dritan Goxhaj punon për regjimin Iranian

1782380662_balla.JPG

Taulant Balla në deklaratën për mediat tha se nuk ka asnjë dyshim se Dritan Goxhaj punon për regjimin iranian

“Nuk ka asnjë dyshim që Dritan Goxhaj punon për regjimin iranian. Nuk arrestoj askënd. Arrestimet në demokraci i bën prokuroria. Një person që e quan presidentin amerikan terrorist, që i quan SHBA-të terroriste, mbron Iranin dhe sulmon SHBA, është një person që ka lidhje me agjenturën iraniane”, tha Balla.

Ora 11:56
Balla: PD s’mund të flasë për protestën, e kundërshtoi që ditën e parë! Kufizimi i mandateve vjen nga vota e popullit

1782380145_balla.JPG

Taulant Balla tha se PD s’mund të flasë për protestat në Tiranë kur në ditët e para ishte kundër saj.

“Kjo parti, të paktën për këtë protetë është e vetmja që sduhet të flasë. Ditën e parë, të dytë dhe të tretë kanë qenë kundër, kanë thënë që e bën Edi Rama dhe tjetra, që është më e rëndë, kjo parit është një parti që një zot e di si ka përfunduar në këtë derexhe që u thotë protestuesve mos ia përmendni emrin kryetarit tonë dhe dërgon njerëzit në protestë. Nuk e qas Sali Berishën si përfaqësues të protestës”, tha Balla.

I pyetur pse pranon të bëjë reformat me PD, shefi i grupit parlamentar socialist tha se s’mund ta zgjedhësh kundërshtarin, edhe pse është kundër dëshirës së tij marrëveshja me Berishën.

“Pse pranoni të bëni reforma? Në demokraci, ti nuk e zgjedh dot kundërshtarin. S’do të doja kurrë që me një non grata të bëja marrëveshje. Mos harroni asnjëherë që je i detyruar në demokraci, ta njohësh dhe ta pranosh”, tha Balla.

Sa për kërkesën për kufizimin e mandateve të kryeministrit, tha se kjo mund të vijë veçse nga vota e popullit.

“Në asnjë republikë parlamentare s’ka kufizim mandatesh. Në rastin e tyre, kufizimin e mandateve ta bën vetëm vota e popullit, jo mandati kushtetues. Thuajini mos u lodhni kot”, tha Balla.

Ora 11:43
Protestat/ Balla-opozitës: Sillni mocion mosbesimi për qeverinë, por a e sillni dot Berishën si kandidat për kryeministër?

1782380721_taulantballa.jpg

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës që të kërkojnë mocion mosbesimi, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku nuk u arrit dakordësia për debat për kërkesat e protestuesve. Balla i tha se opozitës të mbledhë 28 firma për mocionin e mosbesimit për qeverinë, por i pyeti nëse e sjellin dot Sali Berishën si kandidat për kryeministër.

“Jam serioz për ata që janë në shesh. Tha ne emër të protestuesve, partia e Berishës kërkoi dorëheqjen e qeverisë. Ishte pika e parë, dhe i kam thënë ju keni marrë përsipër të sillni në Kuvend kërkesën e protestuesve sipas jush, që ju paskan mandatuar, nuk kërkohet me mocion me debat, kërkohet me mocion mosbesimi. Mblidhni 28 deputetë, sillni kërkesën për mocion mosbesimi, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duhet të sjellësh edhe kandidatin për kryeministër, e sillni dot Saliun si kandidat për kryeministër”, tha Balla.

Ora 11:42
PD kërkoi mocion me debat, Balla: Nuk e njohim partinë e Berishës si përfaqësuese e protestës, sollën në kërkesë hallet e tyre

Pas Konferencës së Kryetarëve, ku nuk u arrit dakordësia për kërkesën e PD për mocion me debat për kërkesat e protestuesve, kreu i grupit të PS Taulant Balla tha se nuk e njohin PD si përfaqësuese të protestës. Balla tha se vetëm një kërkesë kishin sjellë njëjtë si protestuesit, atë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa 4 kërkesat e tjera Balla tha se ishin hallet e opozitës

“Kam pyetur opozitën në konferencë kryetarësh, me çfarë mandati keni ardhur ku zëdhënës të protestës. Pastaj ju kam thënë se nuk iu njoh për përfaqësues të protestës. Pranoj gjithkënd, por partinë e Berishës nuk e pranoj dot kurrë si përfaqësues të protestës. U kam vënë në dukje se janë aq të paaftë saqë kanë transformuar edhe kërkesat e protestuesve, ato që janë bërë publike, pavarësisht se nga kush një person me lidhje të ngushta me Iranin. Po ti merrej kërkesat që kishte sjellë opozita, vetëm numri ishte i njëjtë dhe vetëm pika e parë e kërkesës ishte e njëjta. Dorëheqje dhe opozita kishte sjellë nja 4 halle të veta. Unë dhe kolegët e mi, ia kemi vërë të qartë se nuk e njohim si parti përfaqësuese të protestës. Meqë komunikimi bëhet publik dhe meqë kanë partitë radhën e tyre për të folur, ti përgjigjen dhe kësaj çështje, a ka mandat partia e PD qe t’i përfaqësojë?”, tha Balla.