“Sot është ditë me diell në Talin sepse solla diellin nga Shqipëria”, nisi Rama me batutë fjalën e tij në deklaratën e përbashkët me kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal.
Në fjalën e tij, Michal nënvizoi mbështetjen e fortë të Estonisë për rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.
“Estonia mbështet fort zgjerimin e Bashkimit Europian. E kemi mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Vazhdoni të ecni përpara me reformat. Nëse Shqipëria përmbush detyrat e saj, edhe BE do të bëjë të njëjtën gjë”, u shpreh ai.
Ndërsa e vlerësoi këtë qëndrim, Rama shprehu edhe padurimin për të vijuar me fazën tjetër të procesit të integrimit.
“Faleminderit shumë që vazhdoni të mbështesni Shqipërinë. Presim me padurim të kalojmë në fazën tjetër shumë shpejt dhe të vazhdojmë duke nisur mbylljen e kapitujve të negociatave”, tha Rama.
Një pjesë e deklaratës u fokusua edhe te çështjet e sigurisë dhe lufta në Ukrainë. Michal e quajti Shqipërinë “një aleate shumë e mirë në NATO”. Rama tha se kjo është një pikë bashkimi mes dy vendeve, të cilat i afron edhe “një refuzim i palëkundur që të mos lejojmë vendet e huaja të minojnë mënyrën tonë demokratike të jetesës.”
Bashkëpunimi midis dy vendeve u afirmua në disa fusha, si arsimi e teknologjia, ku Rama shprehu një ambicie për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Jam shumë mirënjohës që na thatë se jeni gati të prisni njerëzit tanë të vijnë më shpesh të mësojnë prej jush e asaj që mund të bëni, sidomos në nivelin e sektorit arsimor, duke nisur me fëmijët për t’u dhënë atyre instrumentet që ta çojnë vendin në një tjetër nivel. Duam të sigurohemi që rrugëtimi ynë drejt 2030 të shndërrohet në të njëjtin novacion që e ka bërë Estoninë në markë globale. Ne kemi shumicën e shërbimeve online dhe synojmë të ecim përpara me IA”, tha kryeministri.
Si një nga vendet në Europë që përdor më së shumti teknologjinë, Estonia shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në zhvillimin e kapaciteteve dixhitale.
Gjatë deklaratës me kryeministrin estonez Kristen Michal, shefi i qeverisë Edi Rama u bëri thirrje estonezëve që të vizitojnë Shqipërinë. Rama tha se është kënaqësi që të shohë se numri i tyre në vendin tonë është trefishuar që prej 2023-shit, ndërsa shtoi me batuta se estonezët në Shqipëri do të ndihen si në vendin e tyre, pasi nuk ka simpati për Putin.
“Është kënaqësi të shohësh trefishimin e numrit të estonezëve që vijnë që prej 2023-shin. Shpresoj se do të zgjatet ky sezon i fluturimit drejtpërdrejtë. Ju ftoj të largoheni nga vendi edhe në dimër, që të vini të gjeni plazhet. Nuk kemi simpati për putin atje, kështu që do të ndiheni krejt si në shtëpi”, tha Rama.
Komente









