Konferenca e Sigurisë , një nga ngjarjet më të rëndësishme gjeopolitike, çeli siparin sot në Mynih, me fokus të ardhmen e aleancës euroatlantike dhe përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë.
Liderë nga e gjithë bota u mblodhën për ditën e parë të forumit, në një klimë të tensionuar për marrëdhëniet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në fjalën hapëse, kryetari i konferencës, Wolfgang Ischinger, foli për paqëndrueshmërinë e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ai përshëndeti praninë e delegacionit amerikan të drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili pritet të mbajë fjalën e tij të shtunën.
“Partneriteti transatlantik ka nevojë për një Europë më të fortë,” tha ai, duke shtuar se vendet europiane duhet të qëndrojnë më pranë njëra-tjetrës se më parë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz nga ana tjetër tha se rendi global i deritanishëm po shpërbëhet
“Kam frikë se duhet ta themi edhe më drejtpërdrejt: ky rend, sado i papërsosur të ketë qenë, nuk ekziston më në atë formë, është zëvendësuar nga një panoramë shumë më e pasigurt, e formësuar nga rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe nga një vëmendje e re ndaj interesave kombëtare. Është hapur një çarje mes SHBA-së dhe Europës.” u shpreh ai.
Ai bëri thirrje për një Europë më të fortë për të rregulluar marrëdhëniet me SHBA-në duke paralajmëruar se në epokën e re të rivalitetit mes fuqive të mëdha, askush nuk mund të ecë i
“Ne nuk besojmë te tarifat doganore dhe proteksionizmi, por te tregtia e lirë. Mbetemi besnikë ndaj marrëveshjeve për klimën dhe ndaj OBSH-së, sepse jemi të bindur se vetëm së bashku mund t’i zgjidhim sfidat globale. Të qenit pjesë e NATO-s nuk është vetëm avantazh për Europën. Është edhe avantazh për Shtetet e Bashkuara,” tha ai, duke shtuar: “Le ta riparojmë dhe ringjallim së bashku besimin transatlantik.”
Në Mynih pritet të flasë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili kërkon lëvizje konkrete në bisedimet për paqe, ndërsa lufta me Rusinë vijon.
Vitin e kaluar, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance shkaktoi reagime të forta me një fjalim ku kritikoi politikat europiane për emigracionin dhe lirinë e shprehjes, duke shtuar tensionet mes dy brigjeve të Atlantikut.
Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një event vjetor mbi politikat ndërkombëtare të sigurisë që është mbajtur në Gjermani që nga viti 1963. Është mbledhja më e madhe në botë e llojit të vet. Në këtë konferencë marrin pjesë krerë shtetesh, qeverish dhe organizatash ndërkombëtare, ministra, deputetë, përfaqësues të forcave të armatosura, shkencës, shoqërisë civile, biznesit dhe medias.

Foto: Dmitry Medvedev
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, e quajti kancelarin gjerman Friedrich Merz një demon për shkak se njoftoi forcimin e ushtrisë gjermane, duke i kujtuar atij se ky nuk është viti 1933.
Duke folur në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Mynih në Gjermani, Merz kujtoi planet e autoriteteve gjermane për ta transformuar Bundeswehr-in në ushtrinë më të fortë konvencionale të Evropës sa më shpejt të jetë e mundur.
"Demon, a je i sigurt që nuk e ke gabuar epokën? Është viti 2026, jo viti 1933!", shkroi Medvedev në rrjete sociale.

Michael Waltz
Në një panel në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ambasadori i SHBA-së në OKB, Michael Waltz, mbrojti reformat dhe shkurtimet e nisura nga administrata amerikane.
Ai tha se president Donald Trump kishte të drejtë kur pyeti pse OKB-ja nuk po arrinte rezultate në kriza si Gaza apo konflikte si ai mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Sipas Waltz, “OKB do të dalë më e fortë në fund të këtij procesi”, duke theksuar se status quo-ja ishte e paqëndrueshme dhe nuk po funksiononte.
Në të njëjtën kohë, ai foli për krijimin e organizatave më të fokusuara shumëpalëshe, si “Bordi i Paqes”, duke e cilësuar atë “plotësisht të pranueshme për sa kohë po marrim rezultate”.
Bordi i Paqes u lançua nga president Donald Trump gjatë samitit të Forumi Ekonomik Botëror në Davos, si një koalicion vendesh që do të punojnë për zgjidhjen e konfliktit në Gaza. Megjithatë, agjenda dhe mekanizmat konkretë të këtij organi të ri mbeten ende të paqartë. Me ftesë të presidentit Donald Trump, pjesë e Bordit të Paqes janë edhe Shqipëria dhe Kosova.
Disa aleatë të SHBA-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kanë refuzuar t’i bashkohen nismës, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka lënë të hapur mundësinë për t’u përfshirë në të ardhmen.

Friedrich Merz gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih
Gjatë një seance me pyetje dhe përgjigje pas fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Rusia duhet të çohet në një situatë ku nuk sheh “asnjë avantazh të mëtejshëm” nga vazhdimi i pushtimit të Ukrainës.
Në një referencë të tërthortë ndaj liderit hungarez Viktor Orban, ai përmendi rastin e një kryeministri të BE-së që kishte vizituar Rusinë dhe, sipas tij, “nuk kishte arritur asgjë”. Sipas Merz, menjëherë pas asaj vizite, Rusia ndërmori një sulm veçanërisht të ashpër ndaj Ukrainës.
Kancelari theksoi se qëllimi është që Rusia të arrijë në pikën ku lufta nuk është më e dobishme për Moskën.
“Duhet t’i çojmë në këtë pikë për ta ndalur. Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi ushtarakisht, ekonomikisht, politikisht dhe diplomatikisht për ta arritur këtë”, deklaroi ai.

Friedrich Merz dhe Xi Jinping
Në fjalën e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi hapur Kinën.
Ai tha se ekonomia e dytë më e madhe në botë “shfrytëzon në mënyrë sistematike varësitë e të tjerëve”. Sipas tij, Pekini po e rinterpreton rendin ndërkombëtar për ta përshtatur me qëllimet e veta strategjike.
“Nëse ka pasur një moment unipolar pas rënies së Murit të Berlinit, ai është tashmë larg. Pretendimi për lidership i Shteteve të Bashkuara është vënë në pikëpyetje, ndoshta edhe është humbur”, deklaroi kancelari gjerman.

Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz
Gjatë diskutimeve në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz u ndal te zgjerimi i Bashkimit Europian, pasi presidenti i Malit të Zi ngriti pyetjen mbi ecurinë e procesit.
Merz pranoi se po ndihet “gjithnjë e më i parehatshëm” me paaftësinë e BE-së për të bërë përparim domethënës në procesin e anëtarësimit.
"Ne u kemi premtuar anëtarësimin në BE shumë vendeve.. dhe sinqerisht po ndihem gjithnjë e më shumë jo në rehati me qasjen tonë ndaj tyre. Duhet të hapim një strategji të re se si t’i afrojmë këto vende me Bashkimin Europian. Nuk dua t’ju humbas,” tha ai.
Ai pranoi se ekziston “një elefant në dhomë”, pasi procesi kërkon unanimitet dhe Hungaria vazhdon të bllokojë hapa të mëtejshëm.
“Duhet ta kapërcejmë këtë,” u shpreh Merz.
Merz la të kuptohet se zgjedhjet parlamentare në Hungari, që pritet të mbahen në prill, mund të ndikojnë në ecurinë e procesit. Sipas tij, pas këtyre zgjedhjeve mund të hapen kapituj të rinj negociatash dhe vendet kandidate të afrohen më shumë me BE-në.
Komente











Pse te zgjerohet BE? BE,ja beri gabimin kur filloj me zgjerimin e Greqis mbasandej me Polonin ,Sllovakine,Cehine,Hungarine,Bullgarine dhe Rumanine edhe keto shtete nuk e meritonin por dihet me siguri qe Hungaia eshte kunder zgjerimit me dy shete me popullate Muslimane dhe keto jane Shqiperia dhe Bosnja Por nuk eshte vetem Hungaria kunder por ka edhe tjere por perdorin Veton fshehazi .
Përgjigju