Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas miratimit të propozimit francez nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Alibeaj ka përshëndetur vendimin, duke shtuar se ka ende shumë rrugë për të bërë dhe kushte për të plotësuar. Njëkohësisht është shprehur se PD mbështet integrimin e vendit për në BE. Për deputetin demokrat, qeverisja e Edi Ramë ka qenë ka qenë një dështim për rrugëtimin europian.
"Miratimi nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut i propozimit francez për zgjidhjen e ngërçit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i hap rrugë procesit të negociatave të Shqipërisë me BE. Partia Demokratike përshëndet këtë vendim të parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe vlerëson rolin e faktorit shqiptar në këtë vendimarrje. Shqipëria nga ana e saj ka ende rrugë për të bërë, ende shumë kushte për të plotësuar. E gjithë ecuria e qeverisë shqiptare këto 9 vitet e fundit ka qenë një dështim për procesin e integrimit. Edhe pse problemi i Maqedonisë së Veriut dhe vetojq e Bullgarisë ishin çështje që ngadalësuan ndjeshëm procesin e integrimit, shqiptarët e kanë të qartë se ngecja në vendnumëro është pasojë e keqqeverisjes Rama. Pasuar së fundmi me nota arrogance ndaj përfaqësuesve të vendeve mike të BE. Si mënyra e vetme për të larguar vëmendjen nga ngecja e reformave, krimi de korrupsioni galopant, zgjedhjet e vjedhura të 25 prillit, liria e medias dhe problematikat shqetësuese e zhvillimeve në vend. PD e mbështet pa asnjë rezervë integrimin e vendit në BE dhe do të bëjë gjithçka për t'ia mundësuar këtë vendit. Për këtë duhet nisur puna një orë e më parë për rikthimin e pushtetit të votës së lirë. Te votës që nuk blihet me paratë e krimit dhe oligarkisë, që nuk shitet nga frika dhe terrori e regjimit që vë gjithçka në funksion të pushtetit absolut. Shqipëria ka vetëm një destinacion, atë të integrimit në BE. Ne do të punojmë çdo ditë për t’a arritur këtë duke ndërtuar të ardhmen e shqiptarëve mbi vlera dhe parime të ndryshme nga ato që po e mbajnë Shqipërinë peng dhe që po sjell braktisjen masive të vendit.", shkruan Alibeaj.
Lajmi kryesor: