“Paqja është gjithmonë e mundur” është konferenca ndërkombëtare që Komuniteti i Sant Exhidios, një nga komunitetet katolike më me influencë në botë, do të sjellë nga data 6 deri në 8 shtator në Tiranë.
 
Personalitetet më të larta, ekspertë të feve, përfaqësues fetarë nga e gjithë bota do të flasin në Tiranë për Paqen dhe mundësitë e realizimit të saj në botë, në vendet e prekura edhe sot nga konfliktet.
 
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë është në frontin e parë të këtyre organizimeve. Denada Dibrën, Drejtoreshë e Politikave të përkujdesit shoqëror dhe shërbimeve të integruara në MMSR duke folur për A1 Report për këtë aktivitet tha se, në tre ditë Tiranë do të jetë “qendër e botës” duke shtuar se ky ësthë një aktivitet i rëndësishëm për Shqipërinë.
 
Dibra thotë se, ky aktivitet zhvillohet që prej vitit 1986, kur Papa Gjon Palit II foli për Paqen në qytetin e Asisit, vendlindja e Shën Françeskut në Itali.
 
Mbi arsyen se përse u përzgjodh Shqipëria, Dibra u përgjigj: “Njihet si vendi  i paqes, tolerancës fetare. Është shembull se si mund të ketë bashkëjetesë fetare kaq të mirë dhe të harmonizuar”.
 
Drejtoresha e MMRS bëri me dije se në aktivitet do të jenë të përfshirë të katër komunitetet fetare të cilët do të promovojnë paqen, tolerancën dhe dialogun.
 
“Në shtator në Belgjikë, u shpall që Tirana do të ishte vendi ku do të organizohej për të promovuar vlerat dhe traditat e Shqipërisë”, shprehet Dibra duke bërë të ditur se do të jenë 4 mijë të ftuar mes të cilëve 450 personalitete.
 
Në aktivitetin për organizimin e të cilët puna ka nisur prej 10 muajsh do të marrin pjesë zv.presidenti i Komisionit Evropian, ministri i Jashtëm i Italisë, zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit në Gjermani, ish-presidenti i Komisioni Evropian, Romano Prodi, presidenti i Malit të Zi, etj.
 
“Në datën 8 të gjithë krerët e besimeve fetare dhe liderët do të bashkohen në bulevard ku do të bëjnë marshimin e paqes. Më pas liderët e besimeve do të nënshkruajnë një apel për paqe”, u shpreh Dibra.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)