PRISHTINË, 21 Janar /ATSH-/.-Një Konferencë e nivelit të lartë, që do të mbahet me 22 janar në Prishtinë, do të evidentojë nivelet aktuale të transparencës buxhetore në Kosovë dhe përmirësimet e mëtejshme. Ajo do të bëjë bashkë përfaqësuesit e nivelit të lartë nga institucionet politike, shoqëria civile, si dhe nga sfera akademike e Kosovës dhe më gjerë. Konferenca organizohet nga projekti i GIZ-së "Reformimi i Sistemeve të Financave Publike" në Kosovë. Konferenca do të evidentojë ndërlidhjen mes transparencës buxhetore dhe kontrollit demokratik të buxhetit, stabilitetit fiskal, si dhe perspektivës evropiane të Kosovës. Vëmendje e posaçme do t'i kushtohet niveleve adekuate të transparencës buxhetore ndaj Parlamentit, shoqërisë civile, si dhe ndaj publikut të gjerë.
Në deklaratën për shtyp të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman thuhet se, projekti i GIZ-së "Reformimi i sistemeve të financave publik në Kosovë, mbështetja gjermane në fushën e financave publike" thekson kontrollin parlamentar të buxhetit, mbledhjen e drejtë dhe të efektshme të të hyrave, si dhe transparencën buxhetore. Implementimi i projektit kishte filluar në vitin 2009 dhe planifikohet të zgjasë deri në vitin 2017. Mbështetja e vazhdueshme ndaj Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe ndaj Administratës Tatimore do të shtrihet edhe tek Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike duke filluar nga viti 2015./b.j./a.gjonaj/