TIRANE- Nëpërmjet një komunikate për mediat, Konfindustria mbështet parimisht reformën territoriale-administrative në Republikën e Shqipërisë, duke e vlerësuar si domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit dhe i kërkon gjithë vendimarrjes politike të gjejnë rrugët e bashkëpunimit për kryerjen me cilësi dhe në një kohë sa më të shpejtë të procesit. Duke cituar administratorin e saj “Konfindustria”, mbështetur në të dhënat e vazhdueshme të ardhura pranë saj veçanërisht nga biznese të huaja, thekson se në rradhë të parë copëtimi i tejskashëm gjeografik i njësive vendore dhe së dyti shpërndarja joefektive e përgjegjësive përkatëse ndërmjet njësive vendore(komuna, bashki, qarqe), ka krijuar problematika të dëmshme në menaxhimin e investimeve të kryera.

Njëkohësisht, organizimi i sotëm territorial krijon pengesa shtesë krejtësisht të paarsyeshme për tërheqjen e investimeve të reja, duke ulur aftësinë konkuruese të Shqipërisë krahasimisht vendeve të tjera të rajonit.  Konfindustria këshillon, që organizimi i ri territorial-administrativ i vendit duhet të ketë si parësor kalimin drejt parimit të ekonomisë se shkallës si pjesë thelbësore e përvojës së vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian. Gjithashtu, përafrimi me organizimin e njësive vendore të Kosovës është me rëndësi vlerësuar në këndvështrimin e lehtësimit të bashkëpunimit të sotëm mbarëshqiptar dhe zhvillimeve strategjike të pritshme në rajon.
 

 Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)