Konfindustria:Lotaria t'i mbetet
shtetit, mos ia jepni të huajve

Konfindustria:Lotaria t'i mbetet<br />shtetit, mos ia jepni të huajve
TIRANE- Konfindustria i kërkon Qeverisë Shqiptare që të ndalojë vazhdimin e proçedurave tenderuese dhe të marrë përsipër në mënyrë të drejtpërdrejtë administrimin e saj.
"Është e papranueshme, që të ardhurat e siguruara nga biznesi i lojrave të fatit në emër të shtetit sikurse Lotaria Kombëtare, që nuk sjell asnjë zhvillim ekonomik për vendin dhe nuk prodhon as të mira materiale dhe as shërbime të mirëfillta për qytetarët, por thjesht sigurojnë fitime në thelb spekulative, të lejohen të dalin jashtë arkës publike, qoftë edhe pjesërisht. Aq më shumë është e papranueshme nëse këto të ardhura do të dalin jashtë vendit sikurse do të ndodhi nëse operatori, që do të menaxhoje Lotarine Kombëtare do të jetë i huaj"- thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Konfindustria.

Sipas saj, në mënyrë dërrmuese të gjithë shembujt që vijnë nga vendet më të zhvilluara të botës, tregojnë se në rastin e aktiviteteve të ngjashme janë drejtpërdrejt institucionet publike që kryejnë administrimin.

"Lotaria Kombëtare për vetë natyrën dhe qëllimin e saj, nuk duhet lejuar të kthehet në një biznes të mirëfilltë, por duhet përdorur si një mjet për të zbutur sadopak nevojat e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike. Pikërisht administrimi i drejtpërdrejt nga ana e shtetit i Lotarisë Kombëtare është mënyra e vetme për të arritur qëllimin e mësipërm dhe per moskthimin e saj në një biznes të mirëfilltë"- thuhet më tej në deklaratën për shtyp.

Konfindustria gjykon se "në kushtet e ndikimit të pasojave të krizës së zgjatur gobale, kur biznesi dhe ekonomia shqiptare të paktën në periudhën afatmesme do të kenë nevojë më shumë se asnjëherë për likuiditet si edhe duke patur parasysh se shtresa të gjera shoqërore të prekur nga kriza ndjejnë domosdoshmërinë e mbështetjes shtetërore, paratë e shqiptarëve në asnjë mënyrë nuk duhet të dalin në mënyrë të paarsyeshme jashtë vendit.

KRITERET E LOTARISE
VKM për shpalljen e garës për lotarinë është marrë në mënyrë të fshehtë nga qeveria në janar të këtij viti dhe më pas është publikuar në Fletorën Zyrtare. Kushtet që ka vendosur qeveria janë tepër favorizuese për atë që do ta marrë dhe aspak në favor të arkës së shtetit. Pagesa e licensës vetëm me 500 milionë lekë është shumë e vogël, duke qenë se fjala është këtu për një lotari kombëtare në regjim monopoli. Me një kalkulim të shpejtë, duke pasur parasysh sa janë rritur këto lojëra si xhiro vitet e fundit nëpër botë, 5 milionë dollarë janë fare pak. Kompania fituese mund t’i shlyente brenda një viti të vetëm këto që i kërkon shteti shqiptar. Nga ana tjetër, kriteri KK5 (Net Asset Value) i kërkuar, me shifrën 50 milionë euro asete është qesharak për kompani të tilla gjigande, pasuritë e të cilave llogariten në miliarda euro. Nga ana tjetër, aplikuesi ose anëtari kryesues i bashkimit duhet të kenë të paktën 300 të punësuar, që është gjithashtu një shifër e papërfillshme. Në rast se qeveria do të dëshironte të ftonte në garë firma tepër serioze, ajo duhej të kishte vendosur kritere shumë më të larta se këto, që ka vendosur për pjesëmarrësit në tenderin e garës për licensën e lotarisë. Me vendosjen e kritereve të tilla, nuk është çudi që janë afruar vetëm dy subjekte, ndërkohë që kanë lindur dyshime për seriozitetin e garës. Opozita akuzon qeverinë se ka paracaktuar fituesin e tenderit të lotarisë dhe ato janë njerëz pranë familjes se kryeministrit. Sipas tij lotaria duhet te jete monopol shtetëror, sikurse funksionon ne vende te tjera dhe te mos i jepet për menaxhim privatit. Por ndonëse akuzat mbi procedurat e tenderit vijojnë ne media prej disa ditësh, ministri i Financave Ridvan Bode dha një përgjigje te vaket, duke mos shpjeguar thelbin e akuzave.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën