TIRANE- Qemal Mulla, përfaqësuesit ligjor të trashëgimtarëve të familjes Toptani i është komunikuar nga prokuroria akuza e "Falsifikimit të dokumentave" dhe "Vënies në përdorim të dokumentave të falsifikuara". Sipas prokurorisë ai dyshohet se është autori i falsifikimit të hartës topografike që bën fjalë për rreth 275 hektarë tokë, e cila ndodhet në gjirin e Lalëzit, afër fshatit Hamallaj. Pikërisht kjo sipërfaqe tokësore pretendohet edhe nga anëtarët e familjes së gjyqtarit të vrarë në Vlorë Skerdilajd Konomi, të cilët me vendim të Gjykatës së Lartë kanë mundur të fitojnë ndaj truallin në Hamallaj. Procesi gjyqësor është zhvilluar mes trashëgimtarëve të familjes Toptani dhe Konomi, ku në fund fitimtarë dolën këta të fundit. Palët akuzuan njëri-tjetrin për falcifikim të hartës topografike, ku nga hetimet e kryera nga prokuroria u arrit në përfundimin se njeriu që kishte falcifikuar hartën ishte përfaqësuesi ligjor i trashëgimtarëve të familjes Toptani, Qemal Mulla. Momentalisht njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës, është në fazën e mbylljes së procedurave dhe se brenda kësaj jave çështja do referohet në Gjykatën e Tiranës. Vetë i pandehuri gjatë marjes në pyetje ka deklaruar se ai s'ka konsumuar asnjë nga veprat penale që e akuzon prokuroria. "Gjithçka që kam bërë e kam kryer në përputhje me ligjin dhe aspak kundrejt tij. Në kërkesat zyrtare që kam bërë në disa institucione për tërheqjen e dokumentave kam marë përgjigje zyrtare, dhe se të gjitha aktet mbajnë vulat e institucioneve prej nga janë lëshuar"- shprehet në dëshminë e tij i pandehuri Qemal Mulla.
(eq/sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(eq/sg/shqiptarja.com)










