TIRANE – Kompania çeke energjetike CEZ-Shpërndarje ka nxjerrë në shitje degën e saj në Shqipëri. Deklarata është bërë publike nga vetë grupi çek, teksa CEZ po përpiqet që të zgjidhë një konflikt që po vazhdon prej kohësh me Shqipërinë lidhur me importet e energjisë dhe çmimet.

CEZ tha në një deklaratë se blerësit e mundshëm duhet të shfaqin interes deri në janar dhe më pas CEZ do të vendosë lidhur me hapat e ardhshme. Kompania, e cila tha se është në bisedime me Shqipërinë, nuk dha detaje të tjera, deklaron kompania në Pragë.

CEZ u ka dërguar ndërkohë një letër punonjësve të saj, ku shprehet se po vijon negociatat me qeverinë shqiptare, ndërkohë që i falenderon për punën që kanë kryer.

Kompania çeke ka siguruar ndërkohë, se do të vijojë të mos tolerojë shkeljet dhe mospagesën e faturave të energjisë.

“Është e rëndësishme të theksoj se çfarëdo ndryshimesh ndodhin në strukturat aksionare, objektivi i operatorit të shpërndarjes për të arkëtuar pagesat, për të ndërprerë debitorët dhe vjedhjet e energjisë elektrike, mbetet i njëjtë.Shpërndarja e energjisë elektrike është një shërbim publik për qytetarët shqiptarë dhe duhet të kryhet pavarësisht diskutimeve mes aksionarëve dhe strukturës së pronësisë së shoqërisë, ndaj unë ju inkurajoj që të bëni të gjitha përpjekjet e mundshme për të kryer punën tuaj me nivelin më të lartë të cilësisë”, thuhet në letrën e CEZ.

(Gre.M/Shqiptarja.com)