TIRANE- Për të dytën herë në këto javë, përmbarimi privat hyri dje në ambientet e selisë së Partisë Social Demokrate, të Skënder Gjinushit, për të nxjerrë materialet brenda objektit. Kur kaloi 1 orë nga aksioni, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ndërprerë punën e përmbaruesve për lirimin e ambienteve, duke nxjerrë jashtë të gjithë përmbaruesit, të cilët nga ana e tyre janë shprehur të vendosur për të marrë në dorëzim godinën dhe për t’ja kthyer atë pronarit të ligjshëm, Astrit Manopulli. Policia e Shtetit ishte thirrur nga përmbaruesit për të mbështetur operacionin, por ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare prej tyre.

Avokati i pronarëve, Riza Hiçka deklaroi se përmbaruesit i kanë kërkuar ndihmë policisë. Janë shoqëruar në polici dy përfaqësues të pronarëve që pretendojnë pronësinë e godinës së PSD-së, për arsye ende të panjohura. Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar procedimin disiplinor për përmbaruesin Baftjar Nelaj, me pretendimin se ka shkelur ligjin dhe kodin e etikës gjatë ushtrimit të detyrës, në përpjekje për të liruar ambientet e selisë së PSD-së. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, përmbaruesi Nelaj rezulton të jetë i dënuar edhe më parë me vendim të formës së prerë.

Në lidhje me ndërhyrjen e policisë Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri tha: “Se kuptoj pse me pyesni mua, duhet të pyesni Policinë e Shtetit”. Kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi akuzoi qeverinë e kaluar se po keqpërdor pronarin që sipas tij disponon vetëm 1/3 e pronës dhe oborrin ku është ngritur selia e PSD-së. Gjinushi tha se pronari mund të marrë që nesër pjesën që i takon. Përmbaruesit thanë se “Nëse një personalitet si Gjinushi nuk zbaton ligjin çfarë duhet të presim.”. Ndërkaq, dje ka pasur disa reagime nga politikanët, në lidhje me këtë ngjarje.

Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­