45-vjeçari Leonardi Elezaj nga Vlora, banues në Tiranë, u arrestua sot nga njësia operacionale pranë Gardës së Republikës.

Elezaj rezulton të jetë i dënuar me 26 mars 2010 nga Gjykata e Lartë me 25 vjet heqje lirie. Ai është akuzuar se ka vrarë më 15 gusht të vitit 2004, Pasho Zotajn.
Shkak për vrasjen është bërë një konflikt i lindur mes Pasho Zotajt e Medin Zotajt, me vëllezërit Alban dhe Leonardi Elezaj, për humbjen e një sasie droge gjatë vitit 2001, në Itali.

Nga hetimi i kryer, konflikti mësohet se ka nisur për shkak se dy vëllezërit dyshonin se Medin Zotaj, iu kishte vjedhur lëndën narkotike.

Këtë fakt, vëllezërve ua kishte pohuar Genci Kajtalli, i cili ishte ngarkuar për të trafikuar drogën drejt Italisë. Pas debateve mes dy familjeve, Elezajt kanë kërkuar prej Zotajve 20 milionë lekë të reja në këmbim të mallit të humbur. Por pas negociatave, Kajtalli iu ka pohuar Zotajve, se ai kishte gënjyer Leonardi Elezajn, për humbjen e mallit nga frika se ata do ta vrisnin.

Pas debateve mes vëllezërve të Medin Zotajt dhe Elezajve, në një arë me jonxhë në fshatin Kotë, është vrarë Pasho Zotaj. Viktima ishte nxjerrë nga vetura e tij nga disa persona të cilët i kishin zënë rrugën me dy automjete.

Pas hetimit të kryer, policia ka zbuluar se autorë të dyshuar të krimit, ishin Erion Borakaj si dhe vëllezërit Alban dhe Leonardi Elezaj. Në gjykatën e Krimeve të Rënda, ata janë shpallur fajtorë duke u dënuar, por Gjykata e Lartë, dënoi si të tillë vetëm Leonardi Elezajn, ndërsa dy personat e tjerë u shpallën të pafajshëm për akuzën e bashkëpunimit në vrajse.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)