Konflikti për lirimin e selisë
PSD, pranga 3 policëve privatë

Konflikti për lirimin e selisë<br />PSD, pranga 3 policëve privatë
TIRANE -  Aksioni i Zyrës së Përmbarimit privat për lirimin e godinës ku ndodhet selia e Partisë Social Demokrate në kryeqytet është shoqëruar me përplasje dhe konfrontim fizik e verbal mes policisë së rendit dhe policisë private para godinës, e cila ndodhet prapa Ministrisë së Drejtësisë në rrugën “Fortuzi”. Konflikti vijoi për disa orë, nga momenti i fillimit të aksionit të Përmbarimit në orën 10:00 e deri në orët e pasdites, kur godina vijonte të ruhej nga efektivë të Komisariatit nr.3.

Pas këtyre përplasjeve dhe kundërshtimit të forcave të policisë, Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të punonjësve të policisë private, rreth orës 15:00.

Punonjësit e Policisë Private kundërshtuar punonjësit e policisë së Rendit, ndërsa vetë kreu i PSD, Skënder Gjinushi është shprehur se ish-pronarët pretendojnë të marrin godinën me dokumente të falsifikuara. Ai akuzoi se "Përmbarimi Privat është bandë e ish-qeveritare".

Tre punonjësit e arrestuar janë Pladomen Popa, 25 vjeç, Denis Doçi, 33 vjeç, dhe Edmond Sala, 27 vjeç, janë banues në Tiranë, dhe me detyrë punonjës shërbimi pranë Shqërisë së Ruajtjes dhe Sigurisë Publike “AULONA POL-1”.

Ndërsa gjatë mesditës u shoqëruan në komisariat 11 efektivë të policisë private.

Arrestimi i tyre u bë për arsye se paraditen e sotme kundërshtuan punonjësit e Komisariatit të Policisë nr.3 në Tiranë dhe ata të grupit të gatshëm të ndërhyrjes operacionale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, gjatë punës për lirimin e godinës ku ndodhet selia e PSD-së.
 
Ndërkaq, materialet procedurale në ngarkim të tre punonjësve të policisë private do t`i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Kundërshtimit të punonjësit të policisë se rendit publik” dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar respektivisht nga nenet 236, 242, dhe 25 te K. Penal.

PERPLASJET MES POLICISE SE RENDIT DHE ASAJ PRIVATE PER LIRIMIN E GODINES SE PSD
Aksioni nisi në orën 10:00, kur Zyra e Pëmbarimit Privat ndërhyri pasi sipas përfaqësuesve të saj "kishte për detyrë ekzekutimin e VKM-së, që kishte të bënte me lirimin e godinës për t’ia kthyer pronarit, si dhe një vendim të Entit të Banesave".

Por nga ana e kryetarit të PSD-së është bërë Kallëzim Penal duke i akuzuar se po ndërmarrin një veprim të paligjshëm, pasi personi që kërkon të marrë pronën, ka falsifikuar dokumentet.

"Gjinushi ka tentuar të hyjë, por nuk është lejuar, pasi përfaqësues të përmbaruesve i kanë vënë kyçin selisë"- informoi gazetari Arsen Rusta, i TV "A1 Report" nga ambientet para godinës.

Në këtë situatë ka ndërhyrë policia e rendit.

"“Largo policinë private”- thoshte një punonjës policie. Kjo e fundit ka bërë rezistencë dhe si pasojë ka pasur tension mes policisë private dhe asaj shtetërore.

Në orën 10:09 Policia e Rendit ka shoqëruar në makinë disa policë privatë. Vetë shefi i komisariatit nr.3 Ladi Laskaj u mor me shoqërimin me forcë të punonjësve të policisë private në furgonin e policisë.

Në orën 10:13 mbërriti dhe zv/drejtori i Policisë Pandi Sulla. Me urdhër të tij u shoqëruan në komisariatin nr. 3 dhe pjesa tjetër e policisë private. Ndalimi u bë pasi ata kanë kundërshtuar dhe fyer uniformat blu. Drejtuesit e PSD bashkë me kryetarin Gjinushi pas orës 13:00 kanë hapur zinxhirin e portës dhe janë futur brenda.

Por edhe në orën 18:30 të mbrëmjes mjedisi ka vijuar të ruhet nga efektivë të Komisariatit nr.3, që kanë qenë aty për çdo rast konflikti. Ndërkohë ndodhen të shoqëruar në polici 11 efektivë të policisë private dhe përmbaruesi Baftjar Nelaj.

PRONARI I BANESES: E KEMI FITUAR PRONEN ME GJYQ
Pronari i banesës, i cili ka fituar pronën, Osman Manopulli deklaron se e ka fituar pronën me gjyq. “Policia na ka kërkuar të largohemi pasi ka ardhur Skënder Gjinushi. Ne e kemi fituar me gjyq pronën dhe policia e rendit duhej që të vinte për lirimin e saj, por Gjinushi nuk e lëshon”- tha ai në një prononcim para selisë.

AVOKATI I PSD: SELINË E KEMI ME VENDIM TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Avokati i PSD, Florian Taçi ka shpjeguar se "ka dëgjuar nga mediat për pretendimet e pronarit, kur në fakt është situatë e kundërt ligjore". Sipas Taçit, me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2008 jemi posedues të ligjshëm. "Por përse vjen përmbaruesi?", do ta pyeste një gazetar avokatin. "Përmbaruesi vjen për ekzekutimin e vendimit të Entit Kombëtar të Banesave. Por ne e kemi godinën me vendim gjykate të formës së prerë, është posedim i ligjshëm. Kanë folur dy gjykata në vitin 2008 dhe 2010 ndaj padisë së Astrit Manopullit; ajo e shkallës së parë dhe ajo e apelit, që ia japin selinë PSD dhe para tyre administrata hesht".

GJINUSHI: PËRMBARIMI PRIVAT, BANDË E ISH-QEVERITARËVE
Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi duke folur për median, ka deklaruar se, prona është shtetërore dhe se ata që pretendojnë se janë pronarë, kanë falsifikuar dokumentet.
“Gjykata është kundër prishjes. Letrat e falsifikimit janë mbi tavolinë dhe ato janë bërë objekt i hetimit, pasi 2 të 3 e pronës janë shtetërore. Këto kanë bërë objekt kallëzimi. Është bërë një kallëzimi penal. Janë akoma disa banda qeveritare apo ish qeveritare me letra falso. Vendimi i gjykatës është në favorin tonë. Gjyqi po vazhdon. Nga ana tjetër është edhe Enti Kombëtar i Banesave, që e ka kategorizuar PSD si familje të pastrehë. Ne e dimë që nuk jemi gomerë dhe akti administrativ është shfuqizuar nga ministri përkatës. Letrat ua japim merrini e studioni. Entin Kombëtar i Banesave ne nuk e njohim. Ky është shpërdorim i pastër detyre. Drejtuesi i kësaj drejtorie do të japë llogari para gjykatës”, tha Gjinushi gjatë prononcimit për median.

REAGIMI I MB: POLICIA PRIVATE KUNDËRSHTOI POLICINË
Policia ka shoqëruar efektivët e policisë private pasi kanë penguar Policinë e Shtetit në kryerjen e detyrës. Gjatë një prononcimi për Shqiptarja.com, Ministria e Brendshme bëri të ditur se, “efektivët e policisë private kanë kundërshtuar policinë e rendit në kryerjen e detyrës, si dhe për konfrontim gjatë detyrës”.

(Suela Gera/ Artan Cena/Magdalena Alla/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Rama tregon çfarë i shkroi Morinjos gjatë ndeshjes me Kroacinë: Më tha ‘mos fol’

Rama tregon çfarë i shkroi Morinjos gjatë ndeshjes me Kroacinë: Më tha ‘mos fol’