Konflikti, tërhiqet Imami
Anulohet emërimi i Kreshpanit

Konflikti, tërhiqet Imami<br />Anulohet emërimi i Kreshpanit
TIRANE – Konflikti mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, është zgjidhur me një tërheqje të këtij të fundit. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur kërkesës për sqarim nga ana e Presidencës duke njoftuar se urdhri për emërimin e Ferdinand Kreshpanit si Komandant i Forcave Detare “është revokuar”.

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se emërimi i Kreshpanit në këtë pozicion është bazuar në traditën midis këtij institucioni dhe atij të presidencës.

“Pas revokimit të urdhrit të emërimit të Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani, si Komandant i Forcave Detare, aktualisht Komanda e Forcave Detare do të drejtohet nga Zëvendëskomandanti i Forcave Detare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

“Aktualisht mbështetur në nenin 21 të ligjit nr. 9171 datë 22.01.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” – bën të ditur Ministria e Mbrojtjes - është ngritur Komisioni i Veçantë i Karrierës i cili po shqyrton oficerët për grada madhore. Në momentin më të parë pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit nga ky Komision, do t’iu përcillen kandidatët përkatës për gradim në gradën “Kundëradmiral” dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare.”

DEKLARATA E PLOTE E MINISTRISE
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, në përgjigje të shkresës së Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, z. Aleksandër Flloko, ka sqaruar nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar Presidencës, qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes përsa i përket emërimit të Komandantit të Forcës Detare.
Teksti i përgjigjes së Ministrisë së Mbrojtjes është si më poshtë:

Në përgjigje të shkresës Tuaj nr. 790 datë 3.4.2012, me anën e së cilës kërkoni informacion mbi emërimin e Komandantit të Forcave Detare nga Ministri i Mbrojtjes dhe procedurën e ndjekur Ju sqarojmë se:

Urdhri nr. 94, datë 23.01.2012 i Ministrit të Mbrojtjes për emërimin e Komandantit të Forcave Detare, është revokuar. Bashkëlidhur gjeni edhe urdhrin përkatës.
Pas revokimit të urdhrit të emërimit të Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani, si Komandant i Forcave Detare, aktualisht Komanda e Forcave Detare do të drejtohet nga Zëvendëskomandanti i Forcave Detare.

Për nxjerrjen e urdhrit të emërimit, Ministria e Mbrojtjes është mbështetur në praktikën e deritanishme të ndjekur nga ana e dy institucioneve tona. Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1832 më 22.02.2005, propozoi emërimin e Komandantit të Forcës Detare, Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni. Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu me dekretin nr. 4494 më 28.02.2005, emëroi Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni, Komandant të Forcës Detare.

Në vijim, Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1711, datë 13.3.2008, propozoi emërimin e një prej tre kandidaturave kolonelë në detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore. Nga ana Juaj nuk është proceduar për emërimin e një prej tre kandidaturave të propozuara.

Duke u nisur nga këto praktika dhe në zbatim të nenit 19, pika 13, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Ministri i Mbrojtjes vendosi emërimin e Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani në detyrën e Komandantit të Forcave Detare.

Aktualisht mbështetur në nenin 21 të ligjit nr. 9171 datë 22.01.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, është ngritur Komisioni i Veçantë i Karrierës i cili po shqyrton oficerët për grada madhore. Në momentin më të parë pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit nga ky Komision, do t’iu përcillen kandidatët përkatës për gradim në gradën “Kundëradmiral” dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare.
Ministria e Mbrojtjes po shqyrton përgjegjësitë administrative të personelit të Ministrisë së Mbrojtjes.


DEBATI NE KOMISIONIN E SIGURISE
Konflikti mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, mbi emërimin e komandantit të Flotës Detare pa dekretimin e Kreut të Shtetit, u transferua edhe në Parlament. Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, deputeti socialist Pirro Lutaj e cilësoi vendimin e Imamit si antikushtetues dhe sipas tij kjo shkelje është bërë "me dashje".

Lutaj theksoi se kompetenca për emërimin e komandantit të Flotës Detare i përket vetëm Presidentit të Republikës. Ai kërkoi që ministri Imami të raportojë në Komisionin e Sigurisë për këtë konflikt kompetencash me Kreun e Shtetit. “Dua të dalë në një prononcim e të thotë ministri i Mbrojtesj: po, kjo është kompetencë e imja, e të mos e thotë shefi i Shtabit”. Lutaj i referohet një interviste që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dha për Zërin e Amerikës ku doli në mbrojtje të ministrit Imami.

Përfaqësues të mazhorancës kanë rënë dakort që të ngrihet një grup mbikqyrës për të konstatuar nëse ka pasur shkelje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes apo jo.

Ministri Imami ka emëruar gjeneralin Ferdinand Kreshpani si Komandant të Flotës Detare pa kërkuar dekretimin e Presidentit Topi. Sipas Kushtetutës së Shqipërise (neni 169, paragrafi 3), “me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Presidenti emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore”.

(im/aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë