Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për përhapjen e Ebola-s në Kongo, duke paralajmëruar se situata po del jashtë kontrollit për shkak të dhunës dhe pasigurisë në terren. Sipas OBSH-së, të paktën 177 vdekje dyshohet se lidhen me shpërthimin e virusit, ndërsa afro 750 raste janë nën hetim.

Situata u tensionua edhe më shumë të premten pasi protestuesit i vunë flakën një qendre spitalore për Ebola-n në lindje të vendit. Sulmi ndodhi në spitalin Rëampara, ku familjarët e një të riu të vdekur nga Ebola tentuan të merrnin trupin e tij me forcë.

Sipas zyrtarëve vendas, autoritetet shëndetësore refuzuan t’ua dorëzonin trupin për shkak të protokolleve të sigurisë, çka shkaktoi revoltë. Protestuesit nisën të hidhnin sende drejt tendave të trajtimit, duke shkaktuar zjarrin që dogji dy struktura mjekësore.

Në momentin e sulmit, gjashtë pacientë po trajtoheshin në tendat e organizatës humanitare ALIMA. Ata u transferuan menjëherë në ambiente të tjera të spitalit. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë tendat të përfshira nga flakët dhe shtretër spitalorë të djegur plotësisht.

Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se epidemia në Kongo është shumë më e madhe sesa rastet e konfirmuara zyrtarisht dhe paralajmëroi se dhuna po pengon testimet dhe gjurmimin e rasteve.

Shpërthimi aktual lidhet me variantin Bundibugyo të Ebola-s, një formë e rrallë e virusit për të cilën nuk ekziston trajtim apo vaksinë specifike. Rasti i parë dyshohet të ketë qenë një punonjës shëndetësor që shfaqi simptoma në fund të prillit dhe më pas humbi jetën.

Autoritetet lokale thonë se situata po rëndohet edhe nga dezinformimi. Në shumë zona të largëta të provincës Ituri, banorët besojnë se Ebola “është shpikje e të huajve” dhe nuk ekziston realisht.

Virusi tashmë ka kaluar edhe në Uganda, ku janë konfirmuar dy raste, përfshirë një viktimë. Ndërkohë, një mjek amerikan i infektuar gjatë punës në Kongo po trajtohet në një spital të specializuar në Berlin, ndërsa familja e tij ndodhet në karantinë.

OKB-ja ka ndarë 60 milionë dollarë, të marra nga Fondi Qendror i Reagimit ndaj Emergjencave, për të përshpejtuar ndërhyrjet në Kinshasa. Përveç 23 milionë dollarëve të premtuar tashmë nga SHBA-të, këto para janë edhe për krijimin e afërsisht 50 qendrave të trajtimit të Ebolës në rajonet më të prekura të Kongos dhe Ugandës.

Ndërkohë, sipas BBC, shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit në Britani po zhvillojnë një vaksinë të re për të ndihmuar në përballimin e emergjencës së Ebolës por ajo mund të përdoret brenda disa muajsh

Nuk ka garanci se vaksina do të jetë efektive dhe do të duhen eksperimente dhe kërkime për të ditur nëse do të jetë e tillë. Por shkencëtarët thonë se po punojnë urgjentisht në rast se shpërthimi do të përshkallëzohet dhe vaksina e tyre eksperimentale është e nevojshme.