Për gati dy orë ka zgjatur takimi i parë i grupeve të punës së Vetëvendosjes dhe LDK-së lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ku të dyja palët janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Pas takimit i vetmi që u deklarua pas takimit ishte Glauk Konjufca nga LVV, i cili  tha se kanë folur për tema ekonomike, kryesisht për reformat e thella sektoriale që qeveria e re duhet të kryej.

Ai ka mohuar se është diskutuar për ndarje të ministrive, ndërsa ka mohuar gjithashtu edhe zërat se këto dy parti kanë kushte ndaj njëra tjetrës.

Konjufca tha se LVV nuk ka kushte për LDK, e sipas tij as LDK nuk ka kushte për ta për qeverisjen e ardhshme.

I pyetur se nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun a do t'i ftojnë për koalicion, ai tha se për këtë temë nuk kanë folur.

Grupi punues i Vetëvendosjes përbëhej nga Besnik Bislimi, Glauk Konjufca, ndërsa ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës përbëhej nga Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku.
Një takim i radhës i grupeve të punës të të dyja partive do të mbahet ditën e mërkurë.