Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke u shprehur se vendi mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian brenda dy ose tre viteve të ardhshme.

Gjatë konferencës së përbashkët me kryediplomatin Ferit Hoxha, Konjufca tha se ky vlerësim mbështetet edhe në qëndrimet e zyrtarëve europianë me të cilët ai është takuar.

“Të gjithë zyrtarët edhe evropianë, të cilët po i takoj edhe vetë, po thonë që Shqipëria është e dyta në radhë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një arritje shumë e madhe, zoti ministër, të përgëzoj edhe ty sepse për shumë vite ke qenë edhe atje në kryeqytetin e Bashkimit Evropian dhe e ke bërë punën ashtu siç është më së miri. Në këto hapat e fundit jemi besimplotë që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri vitesh. Kjo do të jetë një arritje historike jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë kombin shqiptar, ashtu siç e kemi përshëndetur edhe siç ishte një hap gjigant edhe hyrja e Shqipërisë në NATO”, deklaroi ai.

Konjufca theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të përbënte një mbështetje të rëndësishme edhe për aspiratat eurointegruese të Kosovës dhe do të forconte më tej pozicionin e shqiptarëve në strukturat euroatlantike.


Lajmi kryesor:

Ministri Ferit Hoxha në Prishtinë, takime me Kurtin, Haxhiun dhe Konjufcën: Kosova prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë