Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, po zhvillon këtë të diel një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur në takime të veçanta nga drejtuesit e institucioneve shtetërore.
Gjatë paradites, Hoxha u prit fillimisht nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa më pas zhvilloi takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Në vijim të agjendës së tij, ministri shqiptar pritet të takohet edhe me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Vizita e Hoxhës përfshin gjithashtu takime me përfaqësues të partive politike në Kosovë, mes tyre Bedri Hamza i PDK-së, Ardian Gjini i AAK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së.
Në kuadër të qëndrimit në Kosovë, ministri i Jashtëm shqiptar do të vizitojë edhe Bazën e KFOR-it, ku do të takohet me komandantin e misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, si dhe me efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë të angazhuar në këtë mision.
Komente










