Ç’ËSHTË KY VEND NË BALLKAN?
     Përgjigjen e kësaj pyetje, që nuk ka të bëjë aspak me ndonjë provim gjeografie, disa kohë më parë e ka shprehur më mirë edhe se kushdo që jeton në këtë vend ‘New York Times’. Për ata që nuk u është dhënë rasti t’u bierë në dorë ai numër i kësaj të përditshmeje amerikane apo ta kenë nxjerrë përmbajtjen e reportazhit të botuar atje nga lundrimi në Internet, le ta lexojnë si më poshtë në versionin shqip:
“Ekziston një vend në Ballkan, i cili kufizohet me vetveten. Ku të papunët më së shumti punojnë. Ku të gjithë nxitojnë për në punë dhe askush nuk arrin në kohë. Aty ku tetë-orëshi i punës zgjat 12 orë. Aty ku shëndetësia është pa pagesë, ndërsa shërimi i shtrenjtë. Ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që u urdhërohet. Ku sekretet shtetërore janë publike. Aty ku historia përsëritet çdo ditë.

Ku më të pasurit janë njerëzit, të cilët kurrë nuk kanë punuar. Aty ku përdoret valuta e huaj. Aty ku të mençurit i deklarojnë të çmendur dhe të çmendurit të aftë. Aty ku analfabetët e shkruajnë historinë. Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale. Aty ku jetohet për të ardhmen, sepse për të tashmen nuk kemi të drejtë. Aty ku çdokush e përqesh tjetrin dhe askush nuk ia dëshiron askujt të mirën. Aty ku proceset gjyqësore zgjasin më shumë se sa jeta. Ku përmbytjet janë e vetmja mënyrë për ujitje. Ku konsiderojnë se vendi do të përparojë më shumë në se stagnon gjithnjë e më tepër. Ku normalët nuk janë të nevojshëm dhe punësohen të përshtatshmit, e jo të aftët. Është në Ballkan një vend ku me ndërshmëri, sinqeritet dhe zell kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar.”
 
MIRËNJOHJA - BARRË PËR T’U ÇLIRUAR PREJ SAJ
Kur një vajzë, emrin e së cilës nuk është nevoja ta përmendim
këtu, atë guidë të çuditshme e gjeti në një faqe sociale, më poshtë shënoi me pak druajtje: “Mos është Shqipëria?”. Të tjerët, që jetonin dhe banojnë në këtë vend çdo ditë e çdo orë, do t’i jepnin asaj pa dyzimin më të vogël një përgjigje pohuese, të prerë. Dhe rradhët e tyre u shtuan, u shumëfishuan para tre vitesh, kur me votat e tyre ia besuan masivisht qeverisjen më së shumti një force politike tjetër nga ajo që e kishte bërë telef pushtetin e mëparshëm, dikur të dhuruar dhe  diku të blerë, herë të grabitur dhe shpesh të sforcuar. Por jo më kot është thënë se mirënjohja është një barrë, dhe çdo barrë është bërë për t’u çliruar prej saj.

Prandaj, që në fillimet e qeverisjes së të majtës u ndje një atmosferë reformash në disa fusha, të cilat megjithatë nuk mund të jepnin efekte të menjëhershme. As të mos jepnin dhe as të mos jenë të plota me kalimin e viteve. Kjo është e natyrshme përderisa këtu (po të citojmë nga guida e mësipërme qoftë edhe vetëm një konstatim) proceset gjyqësore zgjasin më shumë se sa jeta. Sigurisht, po qe se nuk u paguan gjyqtarëve dhe prokurorëve paratë e gjithë kësaj jete, se vlera e njeriut paska të bëjë vetëm me atë çfarë jep dhe jo me atë çfarë është në gjendje të përfitojë; po qe se shndërrohet në normë që në politikë, në gjyqësor dhe në administratën shtetërore mund të jetë e drejtë ajo që moralisht është e gabuar; po qe se më të shumtët e njerëzve janë gjallë vetëm se ekzistojnë...

Në këto kushte që vazhdojnë të përjetohen trishtueshëm më së tepërmi, përditë dhe në mënyrë të përsëritur, për t’u vlerësuar seriozisht është këshilla që shprehu gjatë vizitës së tij në Shqipëri të martën e kësaj jave Frank Steinmeier, ministër i Punëve të Jashtme të një vendi të zhvilluar si Gjermania: të gjitha reformat e tjera mbeten të përgjysmuara, nëse nuk miratohet dhe zbatohet reforma në drejtësi, pa të cilën Bashkimi Evropian mbetet ende larg këtij vendi ballkanik.

Sidoqoftë, tashmë jo vetëm pjesa më e madhe e popullsisë sonë, por edhe i gjithë faktori ndërkombëtar – ShBA dhe BE, si bashkëhartues me qeverisjen shqiptare të reformës në sistemin e drejtësisë - e kanë kuptuar një herë e mirë, se pengesat dhe zvarritja në këtë fushë deri tani kur përfundon afati i vendosur për t’u shpejtuar çelja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Unionin Evropian, në vazhdimësi ka ardhur nga pakica parlamentare, liderit të së cilës ia bëri të qartë Steinmeier se në opozitë nuk mund të fitosh gjithmonë dhe gjithçka. Dhe kjo gjithçka e pretenduar nga emisarë të së djathtës ka të bëjë sidomos me sabotimin dhe deformimin e kësaj kryereforme, për arsye të kuptueshme nga roli i saj i paepur destruktiv dhe veçanërisht prej qëndrimit spazmatik të saj për të mos prishur “Vëllazërinë” e vet me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që – siç i cilësoi këto kohë Kryeministri Rama – kanë fryrë xhepat dhe trutë, duke u përdorur prej vitesh nga pushteti i djeshëm për qëllime kriminale.
 
PËRPËLITJET E PAKICËS
Për këto arsye, gjatë disa fazave rresht të hartimit të reformës, përfaqësuesit e saj, deputetë dhe ekspertë, refuzuan të marrin pjesë në punimet e Komisionit Parlamentar të Posaçëm dhe të Grupit të Ekseprtëve të Nivelit të Lartë, si edhe në konsultimet me të ngarkuarit e organizmave amerikane dhe Evropiane – OPDAT, EURALIUS. Më vonë, kur ata i thirrën mendjes, se nuk ishte kjo mënyra e duhur për pengimin e këtij operacioni madhor, atëhere filluan të duken dhe të “ligjërojnë” me zëra të çjerrë. Megjithë paralajmërimet e ambasadorëve të ShBA dhe BE, se këta e dinin kush nuk e donte reformën në drejtësi, nga opozita ngriheshin pretendime bllokuese. Kushdo që ka lexuar letërkëmbimet e saj me faktorin ndërkombëtar ka kuptuar fare mirë këmbënguljen për të legjitimuar shumicën prej 2/3 – t e deputetëve në zgjedhjen nga Kuvendi të anëtarëve të organeve të reja të Drejtësisë.  

 Në këto situata, pavarësisht telefonatave nga Uashingtoni dhe Brukseli, funksionarët e lartë dhe diplomatët e tyre, ashtu, të zhgënjyer për mosarritjen në kohë të një konsensusi të të dy krahëve të politikës shqiptare, bënë thirrje që këta “ta vendosin interesin e vendit të tyre dhe atë të qytetarëve mbi interesat e veta individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, por pa komprometuar thelbin e draft reformës të pranuar ndërkombëtarisht”.
Atëhere, duke arsyetuar se konsensusi nuk mund të arrihet pa kompromise, mazhoranca në konsulencë me ekspertët ndërkombëtarë pranuan që, përveç lehtësimit të arkitekturës së sistemit, duke u suprimuar dy organe, projekti kushtetues të përmbante shumicën prej 2/3 – ve në vend të asaj prej 3/5 – ve, ndonëse edhe kjo e fundit ishte cilësuar nga Komisioni i Venecias si e pranieshme.

Por, pakica u shpreh se nuk e kishte bërë ndonjëherë këtë kërkesa dhe nxorri si asin nga mënga një kusht tjetër: balancimin politik në katër prej institucioneve të reja – KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK. Dhe kjo, sipas shprehjes absurde të liderit opozitar, Basha, “për të mos u kapur drejtësia nga politika”(?!). Ndërkohë, mazhoranca dhe ndërkombëtarët përparuan më tej me kompromise të prozuara prej tyre, duke shtuar në draft reformën paraqitjen në Kuvend nga dy krahët kryesorë politikë të listave alternative me emrat e kandidatëve jo gjyqtarë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ata jo prokurorë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, lista këto të filtrua më parë nga Këshilli i Emërimeve. Dhe, pas paraqitjes së tyre, opozita, si edhe mazhoranca të mbështesnin në votim kandidaturat që mendonin si më të përshtatshme.

Për pakicën, as kjo nuk mjaftonte, por ndonëse në një letër të hapur të Ambasadës Amerikane në Tiranë u publikua qëndrimi i ShBA dhe BE, sipas të cilit, Qeveria është treguar luajale, ndërsa pakica parlamentare nuk i është përgjigjur asaj, lideri i opozitës vazhdoi t’i binte tambures për “vendet e rezervuara”, pra, për balancat politike në të katër organet e reja, duke përfshirë edhe atë të Vetingut (vlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët). Në një kohë që Kryeministri Rama e kishte bërë të qartë publikisht dhe me vendosmëri që Vetingu dhe Këshilli i Emërimeve përbëjnë “vijën e kuqe”, që nuk do të lejohet të shkelet, sepse  kanë të bëjnë me thelbin e reformës, Basha i përgjigjet flakë për flakë, duke tundur e lexuar nëpër ekrane faqen 19 (ku shtrihet Paragrafi 88) të Opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. A mund të përbëjë brendia e këtij Paragrafi realisht një ngërç të justfikuar?
 
JA ÇFARË THOTË PARAGRAFI 88
     Megjithëse para disa ditësh, Lulzim Basha pati guximin që ta lexojë para kamerave pikën e parë të këtij paragrafi, shpejt dhe me gjestikulacione siç e ka kurdisur Berisha, lexuesi ndoshta nuk do të bezdiset po t’ia sjellim edhe këtu në vëmendje. Citojmë: “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes” (theksimet – tonat). Pra, mazhoranca ofroi kompromisin për shumicën e cilësuar me 2/3 – t, kurse opozita nuk iu përgjigj, duke u shprehur se kërkesa e saj për këtë shumicë nuk është bërë ndonjëherë dhe kush thotë ndryshe na bëkërka “një gënjeshtër të madhe”. Gjithashtu, Rekomandimi i Komisionit të Venecias për të zgjedhur edhe çdo model tjetër të përshtatshëm, përveç atij proporcional u plotësua nga mazhoranca me parashikimin e hartimit dhe votimit të “listave alternative”.

Sidoqoftë, Komisioni i Venecias nuk bën fjalë në asnjë rresht të Paragrafit 88 për pretendimin e Partisë Demokratike dhe ndonjë aleati më të vogël të saj mbi të ashtuquajturat “vende të rezervuara”, që u jepet kuptimi i balancës politike. Përkundrazi, vetë ky organizëm, që në rastin e reformës në drejtësi është autorizuar të japë rekomandimet përkatëse nga Bashkimi Evropian dy vjet më parë në takimin e rradhës BE – Shqipëri, konkluzionet e të cilit u vunë në bazë të vendimit për akordimin vendit tonë të statusit të Shtetit kandidat në Bashkimin Evropian. Dhe madje, Komisioni i Venecias është shprehur në disa raste për moslejim të influencave politike në këtë fushë dhe në ato të ngjashme. Mjafton të kujtojmë Rekomandimet e tij të dhëna në vitin 2004 për çeshtjen e përbërjes së Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, çka u shtrua me debate më 2003.

Pra, opozita apo liderë të saj nuk janë të gatshëm për dialog me mazhorancën, duke refuzuar konsensusin për miratimin e kryereformës dhe duke shpërfillur edhe një herë tjetër thirrjen e fundit të ShbA për të nxitur dialogun midis qeverisë dhe opozitës në zgjidhjen e çeshtjes së mbetur, për të cilën kanë mosmarrëveshje. Mirëpo, a është në gjendje pakica apo liderët e saj që t’u hedhin dorashkën Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian? Përgjigja e kësaj pyetje do të marrë kuptim të plotë shumë shpejt, kur Projekti – Kushtetues të miratohet edhe pa konsensusin e saj, kur disa deputetë të së djathtës të shprehin në sallën e Kuvendit të Shqipërisë zërin e arsyes dhe forcën e kartonit të tyre, duke mos humbur më asgjë nga një fraksionim i tillë që u bëjnë forcave politike të tyre, ndaj të cilave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshme populli do “të hakmerret”.      
                       

Redaksia online
a.n shqiptarja.com