DW: Prof. Anastasi a është në përputhje me Kushtetutën shfuqizimi nga Presidenti Meta, i datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të radhës, pra i dekretit të mëparshëm të firmosur nga vetë Presidenti?
Prof. Aurela Anastasi: Në këto kushte mund të them paraprakisht, që Kushtetuta, në nenin 92/gj ka parashikuar kompetencën e Presidentit të Republikës për të caktuar datën e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor. Kushtetuta nuk parashikon kompetencën e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Mendoj se jo pa qëllim Kushtetuta i jep kësaj kompetence një karakter pozitiv ose konstruktiv.
Data e zgjedhjeve ka rëndësi thelbësore për mbarëvajtjen e vetë zgjedhjeve dhe në mënyrë të veҫantë, për respektimin e parimit kushtetues të zgjedhjeve periodike, si dhe të mandatit kushtetues të organeve të zgjedhura nga populli. Nga kjo pikëpamje mendoj se caktimi i datës së zgjedhjeve është një mjet i domosdoshëm kushtetues për të garantuar zgjedhje periodike dhe për të garantuar respektimin e afatit 4-vjecar të mandatit të organeve vendore. Presidenti i Republikës është garant i datës së zgjedhjeve, në mënyrë që ajo të caktohet në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit.
Kur është fjala për zgjedhjet e përgjithshme, për Kuvendin, Kushtetuta e Shqipërisë, në neni 65 t ka parashikuar qartë rregullat për caktimin e periudhave zgjedhore dhe thirrjen e zgjedhjeve. Për zgjedhjet vendore Kushtetuta nuk shprehet. Por është Kodi Zgjedhor, si një burim i të drejtës kushtetuese, që i referohet këtij neni të Kushtetutës edhe për zgjedhjet vendore. Pra, afatet kohore për zgjedhjet vendore rregullohen bazuar në Kushtetutë, sipas rregullit që zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, e cila i paraprin datës së përfundimit të mandatit. Në kushtet kur mandati i organeve vendore përfundon në datën 10 Korrik, periudha zgjedhore e parashikuar në Kodin Zgjedhor, përfundon në datën 30 Qershor 2019. Një datë tjetër, do të na shpinte në një situatë që nuk është parashikuar as nga Kushtetuta, as nga Kodi Zgjedhor, pra në një situatë të pabazuar në akt ligjor.
DW: A është në përputhje me Kushtetutën reagimi i Kryeministrit Rama, se pavarësisht shfuqizimit të datës 30 qershor nga Presidenti Meta, zgjedhjet lokale do të zhvillohen pikerisht në këtë datë?
Prof. Aurela Anastasi: Në krye të herës, duhet thënë që Z. Rama në këtë rast, nuk legjitimohet të flasë si Kryeministër i vendit, por si kryetar i njërit prej subjekteve zgjedhore, Partisë Socialiste, ose koalicionit përkatës zgjedhor. Në këto kushte, ai nuk mund të marrë vetë vendime si Kryeministër ose Qeveri. Kjo është pavarësia zgjedhore që ka krijuar Kushtetuta. Por, ҫdo subjekt zgjedhor ka të drejtën e aksesit në institucionet e ankimimit. Në këtë rast, duke parë edhe jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk është funksionale, mendoj se dekreti i Presidentit të Republikës mund të ankimohet në Gjykatën Administrative, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar pajtueshmërinë e aktit të Presidentit të Republikës me Kodin Zgjedhor.
DW: Prof. Anastasi, sapo përmendët mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Në situatën e re politike, të krijuar nga anullimi i datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe kundërshtia e kryeministrit Rama, cili është ngërҫi që sjell mungesa e kësaj Gjykate?
Prof. Aurela Anastasi: Gjykata Kushtetuese mund të ishte një mjet ankimi më tej, për një proces të rregullt ligjor. E rëndësishme është që në Shqipëri ka një mjet ligjor ankimimi funksional, siç është Gjykata Administrative.
DW: A mund të ngrihet dhe të funksionojë Gjykata Kushtetuese, le të them psh, brenda një jave?
Prof. Aurela Anastasi: Mendoj se nuk mund të ngrihet. Procesi i zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të ikur nga vettingu, ka ecur me ritme shumë të ngadalshme. Kur nuk kemi ende kandidatura që vijnë nga gjyqësori, nuk mund të themi se përbërja e plotë e kësaj Gjykate do të jetë një gjë e shpejtë. Sidoqoftë, ezaurimi i mjeteve që ekzistojnë jep mundësinë për një vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative.
DW: A është e ligjshme që maxhoranca socialiste por edhe parti parlamentare të spektrit të djathtë ta konsiderojnë nul shfuqizimin e 30 qershorit dhe të vazhdojnë fushatën elektorale për të zhvilluar zgjedhjet lokale në këtë datë?
Prof. Aurela Anastasi: Pavlefshmëria e dekretit të Presidentit mund të vendoset vetëm me vendim gjykate.
DW: Cilat janë hapat e mëtejshme, që mendoni se palët duhet të hedhin, në respekt të Kushtetutës?
Prof. Aurela Anastasi: Nga pikëpamja e prognozës kushtetuese, pa hyrë në analizën se si erdhëm deri këtu, në radhë të parë duhet të them se operatorët politikë kanë detyrë t'i rikthehen rendit kushtetues. Presidenti i Republikës ka detyrë ta garantojë këtë rend, si një organ kushtetues i paanshëm.
Natyrisht, mbështetur në aktet kushtetuese dhe ligjore, palët mund të kërkojnë edhe zgjidhje me karakter politik si dialogu, marrëveshjet politike, të cilat për hir të së vërtetës, në raste të ngjashme, të mëparshme, i kanë shërbyer kompromisit politik, duke cënuar respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Mendoj se arritja e një Konvente Kushtetuese midis subjekteve zgjedhore do të ndihmonte në parandalimin e situatave të tilla në të ardhmen. Reforma Zgjedhore është gjithashtu, e nevojshme./DW/