Konsumi e investimet do rrisin ekonominë me 3.7% këtë vit! Turizmi e ndërtimi ndikim kryesor! Do merren dy eurobonde 1.2 mld euro deri në 2026

Ekonomia këtë vit pritet të rritet me 3.7%, dhe kontribuuesit kryesor vlerësohet se do të jenë konsumi dhe investimet publike dhe të huaja. Konsumi është planifikuar të kontribuojë në rritjen ekonomike 2.9%, ndërsa investimet me 0.8% përgjatë këtij viti, por të njëjtat pritshmëri janë deri në vitin 2026.

“Gjatë periudhës afatmesme 2024–2026, rritja pritet të vazhdojë të qëndrojë afër 3.9 për qind, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet”, thuhet në programin e Reformave Ekonomike 2024-2026.

Planifikimin për rritje të mëtejshme të ekonomisë Ministria e Financave i ka mbështetur tek ecuria pozitive e sektorit të turizmit, ndërtimi si dhe tek pritjet për rritje të eksporteve e importeve dhe normalizim të inflacionit.

Kurse sa i takon borxhit në program thuhet se nga 61.5% në vitin e shkuar, borxhi këtë vit do të zbresë në 59.8%, për të vijuar zbritjen në rreth 52.7 për qind deri në vitin 2031. Por përtej pritshmërive për ulje të borxhit, normat e interesit evidentohen si rrezik për rritjen e kostove të shlyerjes së tij.

Nga viti 2022 në vitin 2023 kostoja e borxhit të brendshëm është rritur me 0.57%, ndërsa e borxhit të huaj me 1%, e ndikuar nga rritja e normave të interesit nga bankat qendrore me qëllim që të frenojnë rritjen e inflacionit.

“Rritja ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së normave të interesit dhe për rrjedhojë zëvendësimit të titujve me norma interesi të ulëta që maturohen, me tituj me norma interesi më të larta”, thuhet në program.

Në fund të këtij viti borxhi publik pritet të jetë përafërsisht në 14.2 miliardë euro, ndërsa për viti 2025 do rritet në vlerë e do të arrij në 14.8 miliardë euro pasi është planifikuar të merret një eurobond 650 milionë euro.  Po ashtu është planifikuar të merret përsëri eurobond 550 milionë euro në vitin 2026.

Nga ana tjetër, kompanitë publike do e kenë më të vështirë të marrin garanci sovrane nga shteti pasi është planifikuar që për çdo kërkesë për këtë instrument do të ketë një analizë të zgjeruar. Këto masa merren për të shmangur rritjen e borxhit shtetëror të garantuar.

“Parashikohet një analizë e përforcuar në dhënien e garancive dhe operacineve të reja në huadhënie, gjë që pritet të ndikojë në një performancë më të mirë të huamarrësve ndaj detyrimeve të tyre. MFE po kërkon të forcojë kapacitetet e analizës dhe vlerësimit të rreziqeve dhe ndikimeve buxhetore që rrjedhin nga garancitë dhe huadhëniet. Asistenca në këtë drejtim synohet të sigurohet përmes programit GDRM të Bankës Botërore, e cila po mbështet vazhdimisht aktivitetet e menaxhimit të borxhit dhe që pritet të ndihmojë edhe në zhvillimin e një kuadri gjithëpërfshirës për dhënien e garancive dhe huadhënien, të mbështetur me një metodologji vlerësimi të formalizuar të fokusuar në administrimin e rrezikut të mundshëm në portofolin e ardhshëm”, thuhet në program.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë