Stili është gjithmonë i njëjti. Ndërtesa kubike me ngjyra të çelura. Një garë banaliteti, e cila po ndot Tiranën në çdo cep të saj. Kompania është po e njëjta; Kontakt shpk e ndërtuesit Fatmir Bektashi. Ndërsa projekti më i fundit është Naya.

Naya ngjan me një mal blloqesh betoni, që duket sikur i zënë frymën njëra tjetrës. Ngjyrat e çelura përplasen me njëra tjetrën duke krijuar idene, herë të një kopshti fëmijësh të vizatuar keq dhe herë të një konvikti të një shteti të dështuar socialist. Ndërsa dritaret në atë masiv të madh betoni me ngjyra duken si penxhere burgu. Me pak fjalë, Naya është një lloj apokalipsi urban në Shkozë.

Në rrjetet sociale dhe forumet online, qytetarët dhe amatorët e arkitekturës bashkohen thuajse të gjithë në vlerësimin e shëmtisë. Ndryshojnë vetëm nga epitetet që përdorin. Ka nga ata që e quajnë burg, të tjerë objekt rehabilitimi dhe madje edhe spital psikiatrik.

Në fakt Naya është në vazhdën e një stili që po konsolidohet në dhunshëm në çdo zonë të Tiranës. Një stil që nisi fillimisht me Mangalemin, por që u bë shumë më agresiv me kalimin e kohës.

Nga Rezidenca Nokia në zonën e Ali Demit, tek PaskOne në Paskuqan. Nga Ballada e tmerrshme përdredharake në Farkë, tek apokalipsi Naya në Shkozë. Kjo është një gara brutaliteti. Kontakt është duke u shndërruar në penelin e Piktorit të Madh dhe Sulltan Arkitektit që shëmton Tiranën sipas vizionit të tij brutalist.

Ballada

Ky është një lloj makthi estetik, që të përplaset fytyrës dhe nga i cili nuk ke shpëtim, pavarësisht se në cilin cep të Tiranës ndodhesh. Një çmenduri, që dikush duhet t'i thotë boll. Askush nuk mund të ketë kaq shumë urrejtje për Tiranën./Kapitali.al