Ushtria shqiptare mund të jetë në NATO, por, ndryshe nga simotrat e saj në këtë aleancë politiko-ushtarake, drejtohet nga ministra si Arben Imami, që mendojnë se janë mbi ligjin, deri në atë pikë sa të tentojnë të futin një helikopter të Forcave Ajrore pa paguar TVSH. Ndërkohë që nuk gjejnë paratë për një detyrim financiar të padiskutueshëm, shkelin pa iu dridhur qerpiku një ligj tjetër, sipas të cilit 60 ditë para zgjedhjeve asnjë institucion shtetëror nuk mund të publikojë reklama, veça atyre me karakter shpjegues zgjedhor.
Konkretisht, nga një proces për urdhër ekzekutimi në Gjykatën e Tiranës, del se Dogana e Rinasit ka kërkuar gjobë dhe sekuestër ndaj repartit të Rinasit, që ka porositur helikopterin Tip. AS 532 AL COUGAR ALB 3 MEDEVAC me S/N 2816 (me numër anësor 632) pa paguar TVSH sipas legjislacionit doganor në fuqi.
PROCESI
Dega e Doganës Rinas ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën me objekt lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, për ekzekutim në mënyrë të detyrueshme, të Vendimit të marrë më datë 17.05.2013 ““Për rikuperimin me forcë të borxhit doganor”. Me Vendimin Nr.1845 të datës 09.05.2011 të Degës së Doganës Rinas është vendosur që subjekti “Reparti Ushtarak 3001” të ndëshkohet me gjobë në shumën 200.000 lekë të reja dhe të deklarojë “sa më parë” “mallin” helikopter në fjalë. Rezulton se, edhe pasi i është njoftuar ky vendim repartit, Forcat Ajrore nuk e kanë vënë për dy vjet rresht ujin në zjarr për të paguar një detyrim financiar sipas ligjit.
Në këto kushte, gjyqtarja Manjola Bejleri ka konstatuar se vendimi i mëpasëm për rekuperimin me forcë të borxhit doganor, në bazë të nenit 510/e të K.Pr.Civile, ka marrë cilësinë e titullit ekzekutiv dhe e ka gjetur të drejtë dhe të bazuar në ligj kërkesën e bërë për vënien në ekzekutim të këtij titulli, nëpërmjet lëshimit të urdhërit të ekzekutimit.
Në këto kushte, Dogana mund të nisë procedurat e rekuperimit të borxhit, qoftë edhe duke kaluar në masën e mendueshme të sekuestros së helikopterit. Të paktën, në rastin e një automjeti të një qytetari të zakonshëm, një gjë e tillë do të ishte krejtësisht e ligjshme.
Nga ana tjetër, megjithëse Gjykata nuk merret me këtë fakt, që përbën objekt penal, ndaj drejtuesve ushtarakë e civilë të ministrisë së Mbrojtjes duhet të merret edhe masa përkatëse. Gjykatësja Bejleri ka urdhëruar më datë 12 qershor Zyrën e Përmbarimit që të ekzekutojë vendimin në fjalë.
PYETJE - PERGJIGJE
Edhe mjetet e forcave ushtarake duhet të zhdoganohen?
Çdo mall që hyn në doganë, me përjashtim të atyre që përjashtohen me ligj të posaçëm, duhet të paguajë një detyrim, që mund të jetë tarifë doganore apo TVSH apo të dyja bashkë. Deri tani, mjetet motorike luftarake nuk janë të përjashtuara nga detyrimet.
Kemi të bëjmë në këtë rast edhe me rast, me të cilin mund të merret organi i Akuzës?
Kontrabanda është një krim i karakterit penal. Ndëshkimi i saj nis nga gjoba, por përfundon me burgim
(Shkrimi u botua sot në gazetën "Shqiptarja.com" (print), e diel, 30 qershor 2013)
(ar.sh/shqiptarja.com)